Në projektbuxhetin e vitit 2027, Qeveria e Kosovës ka ndarë mbi 224 milionë euro për Ministrinë e Mbrojtjes. Buxheti i përgjithshëm i shtetit parashihet të jetë 4.27 miliardë euro.
Investimet për rritjen e kapaciteteve mbrojtëse vijnë në një periudhë kur lufta në Ukrainë po ndikon në mënyrën se si shtetet planifikojnë sigurinë dhe organizojnë ushtritë e tyre.
Të lidhura
None found
Për gazetën “Bota sot”, profesori, doktor Sadri Ramabaja ka folur për rëndësinë e investimeve në mbrojtje dhe për mësimet që Kosova mund të nxjerrë nga zhvillimet në Ukrainë.
Ramabaja thotë se modernizimi nuk duhet të përqendrohet vetëm te blerja e armëve. Sipas tij, vendi duhet të hartojë një doktrinë të re mbrojtëse, të përshtatshme për një shtet të vogël dhe për sfidat e sigurisë së shekullit XXI.
Lufta në Ukrainë, vlerëson ai, ka treguar se fuqia ushtarake nuk varet vetëm nga numri i trupave dhe armatimi, por edhe nga teknologjia, inteligjenca, logjistika dhe aftësia për t’u përshtatur me ndryshimet në fushëbetejë.
“Lufta në Ukrainë nuk po ndryshon vetëm sistemet e armatimit, mënyrën e përdorimit të forcës apo strukturën e fushëbetejës. Mbi të gjitha, po detyron shtetet të rishikojnë doktrinat mbi të cilat mbështetet mbrojtja e tyre. Kjo e bën të pashmangshme pyetjen për Kosovën: A është koncepti ynë aktual i mbrojtjes i përshtatur me luftën që po lind para syve tanë? Kjo nuk është thjesht çështje e numrit të ushtarëve, të mjeteve të blinduara apo të dronëve që mund të blihen. Është çështje doktrine”, ka deklaruar Ramabaja.
Profesori vëren se Kosova, për shkak të territorit dhe burimeve të kufizuara, nuk mund ta kopjojë modelin e zhvillimit ushtarak të fuqive të mëdha. Në vend të tij, duhet të krijojë një mbrojtje asimetrike, me kapacitete të shpërndara, teknologji, fleksibilitet dhe mundësi për t’iu përgjigjur shpejt rrethanave të reja.
“Një shtet i vogël nuk mund ta fitojë garën e armatimeve në të njëjtën mënyrë si një fuqi e madhe. Por ai mund të ndërtojë një doktrinë asimetrike të mbrojtjes. Qëllimi duhet të jetë krijimi i një sistemi mbrojtjeje që e pengon agresionin, e rrit koston e tij, e shpërndan fuqinë mbrojtëse dhe e bën të vështirë neutralizimin e shtetit”, është shprehur ai.
Në doktrinën e ardhshme, rol të rëndësishëm duhet të kenë dronët, inteligjenca artificiale, lufta elektronike dhe sistemet për t’u mbrojtur nga mjetet pa ekuipazh, sipas Ramabajës. Megjithatë, ai nënvizon se blerja e pajisjeve nuk mjafton pa një sistem që i përfshin ato në operacionet ushtarake.
“Ushtria e së ardhmes nuk do të matet vetëm me numrin e mjeteve që posedon, por edhe me shpejtësinë me të cilën ajo mëson dhe përshtatet. Droni nuk është doktrinë. Droni është produkt i një doktrine që e kupton teknologjinë, informacionin dhe adaptimin si pjesë të fuqisë luftarake”, ka deklaruar profesori.
Ramabaja e sheh si të domosdoshëm edhe krijimin e një sistemi kombëtar të rezistencës. Në të, krahas FSK-së, pjesë duhet të jenë institucionet civile, infrastruktura kritike, ekonomia dhe shoqëria.
Ai thekson se në luftërat moderne objektiva strategjike mund të bëhen energjia, komunikimet, spitalet, transporti dhe furnizimi me ushqim. Për këtë arsye, shteti duhet të ruajë aftësinë për të funksionuar edhe në kriza të rënda.
“Një shtet i mbrojtshëm është ai që ka institucione legjitime, kohezion shoqëror, kapacitet të besueshëm ushtarak, infrastrukturë rezistente, ekonomi që mund të përballojë krizën, komunikime të sigurta, kapacitete teknologjike dhe partneritete ndërkombëtare. Dhe, mbi të gjitha, ka një shoqëri që beson se shteti që po mbron ia vlen të mbrohet”, ka theksuar ai.
Profesori nënvizon gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit me NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas tij, partneriteti me aleatët duhet të ecë paralelisht me zhvillimin e kapaciteteve vendore.
Ramabaja përfundon se pajisja me armatim duhet të mbështetet nga një vizion i qartë për mbrojtjen, në mënyrë që Kosova të ndërtojë një sistem të qëndrueshëm dhe të përgatitur për sfidat e sigurisë.
“Duhet të ndërtojmë doktrinën që kërkon lufta e re. Një doktrinë që e merr seriozisht avantazhin asimetrik të shtetit të vogël, që e shndërron teknologjinë në kapacitet, që e lidh FSK-në me sistemin kombëtar të rezistencës dhe që e sheh aleancën euroatlantike jo si zëvendësim të fuqisë kombëtare, por si shumëzues të saj”, ka përfunduar Ramabaja.








