Gazetarët dhe mediat në Shqipëri vijojnë të përballen me padi gjyqësore për shpifje, të cilat në disa raste mund të shërbejnë si mekanizëm presioni për të frikësuar gazetarët dhe për të nxitur vetëcensurën. Këto padi njihen si SLAPP dhe lidhen me përpjekjet për të penguar pjesëmarrjen publike dhe raportimin mbi çështje me interes për qytetarët.
Nga analiza e 333 vendimeve gjyqësore për periudhën 2022-2026, rezulton se në 171 prej tyre janë evidentuar tregues të mundshëm të padive strategjike kundër pjesëmarrjes publike. Ndërsa 50 raste, ose 15 për qind e kampionit të shqyrtuar, janë klasifikuar me rrezik të lartë për të qenë padi SLAPP.
Të dhënat u prezantuan nga Qendra “Res Publica”, gjatë publikimit të studimit “Liria e shprehjes në praktikën gjyqësore 2022–2026: Si pasqyrohet jurisprudenca e GJEDNJ-së nga gjykatat shqiptare”. Raporti është përgatitur nga ekspertët Dorian Matlija dhe Irena Dule dhe përfshin vendime civile, penale, administrative dhe kushtetuese.
Sipas analizës, në 190 vendime, që përbëjnë 57 për qind të totalit, janë të përfshirë gazetarë, media ose aktorë të tjerë që ushtrojnë funksion informues publik. Kjo e vendos median ndër grupet më të ekspozuara ndaj konflikteve gjyqësore që lidhen me lirinë e shprehjes.
Raporti evidenton disa mënyra përmes të cilave këto procese mund të krijojnë presion mbi gazetarët. Ndër to përfshihen kërkesat për dëmshpërblime të larta financiare, paditë e shumta për të njëjtin publikim, kërkesat për falje publike, fshirjen e materialeve dhe ndalimin e publikimeve të ardhshme.
Një tjetër problem është kohëzgjatja e proceseve gjyqësore, të cilat në disa raste kanë zgjatur me vite, madje deri në 17 vjet. Kjo situatë mund të shkaktojë kosto financiare dhe profesionale, duke nxitur vetëcensurën edhe kur çështja përfundon në favor të medias.
Avokati Dorian Matlija theksoi se nuk ekziston një metodologji e vetme për identifikimin e padive SLAPP, por ka disa tregues që ndihmojnë në klasifikimin e tyre.
Autorët kërkojnë që gjykatat të zbatojnë më qartë standardet e nenit 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe të vlerësojnë ndikimin që këto procese kanë mbi lirinë e shprehjes. Rekomandime u janë drejtuar edhe Gjykatës së Lartë dhe Shkollës së Magjistraturës për forcimin e standardeve dhe formimin e gjyqtarëve në këtë fushë.
