Policia ka shoqëruar mbrëmjen e kaluar gazetarin holandez Vincent van Gerven Oei, i njohur për investigimet dhe publikimet e tij mbi zhvillimet politike dhe ekonomike në Shqipëri.
Ngjarja është shoqëruar edhe me një tjetër incident, pasi aktivistja Alisa Braho, e cila po filmonte momentin e shoqërimit të gazetarit, është goditur me spraj me piper në sy nga efektivët e Policisë.
Vincent van Gerven Oei ka publikuar në vazhdimësi analiza dhe investigime mbi Shqipërinë, duke u ndalur veçanërisht te marrëdhëniet mes politikës, biznesit dhe sektorit të ndërtimit.
Së fundmi, gazetari ka analizuar edhe materialet e publikuara në kuadër të “The Albanian Files”, duke ngritur pikëpyetje mbi ndikimin e parave të dyshuara të drogës në ekonominë shqiptare dhe hapësirën që, sipas tij, ka krijuar kjo situatë për studiot e huaja të arkitekturës dhe projektimit.
Shoqërimi i gazetarit dhe incidenti me aktivisten vijnë në një moment kur raportimet dhe investigimet mbi lidhjet mes pushtetit, biznesit dhe parave me origjinë kriminale vijojnë të jenë në qendër të vëmendjes.













