Gazetari holandez Vincent van Gerven Oei është shoqëruar nga policia mbrëmjen e kaluar, gjatë protestës së studentëve në Tiranë. Ngjarja është shoqëruar me tensione, pasi një qytetare që po filmonte momentin e ndërhyrjes së policisë është goditur me spraj me piper në sy.
Deri më tani nuk janë bërë publike arsyet e shoqërimit të gazetarit dhe as rrethanat e plota të ndërhyrjes ndaj qytetares.
Vincent van Gerven Oei njihet për investigimet dhe raportimet e tij mbi Shqipërinë, ku një pjesë e rëndësishme e punës së tij lidhet me pushtetin, sektorin e ndërtimit dhe zhvillimet politike në vend.
Së fundmi, gazetari kishte komentuar edhe dokumentarin “The Albanian Files”, duke ngritur pikëpyetje mbi ndikimin e parave të dyshuara nga aktivitetet kriminale në sektorin e ndërtimit, si dhe praninë e studiove të huaja në Shqipëri.
Ngjarja ka nxitur reagime, ndërsa priten sqarime nga autoritetet për arsyet e shoqërimit të gazetarit dhe përdorimin e sprajit me piper ndaj qytetares që po filmonte ndërhyrjen.

