Atmosferë Krishtlindjesh në Nju Jork, bredhi gjigant 75-vjeçar vendoset në Rockefeller Center

08/11/2026 09:43

Nju Jorku ka nisur të vishet me atmosferën festive të Krishtlindjeve, ndërsa një prej simboleve më të njohura të festave në metropolin amerikan ka mbërritur në Rockefeller Center.

Bëhet fjalë për bredhin gjigant norvegjez, i cili do të zbukurojë edhe këtë vit sheshin e famshëm në Manhattan dhe do të tërheqë miliona vizitorë.

Pema mbërriti të shtunën në Rockefeller Center, pasi u transportua nga zona e West Edmeston, në shtetin e Nju Jorkut. Bredhi është rreth 23 metra i lartë, 15 metra i gjerë dhe peshon afërsisht 11 tonë. Ai vlerësohet të jetë rreth 75 vjeç dhe pritet të kthehet në një prej atraksioneve kryesore të festave të fundvitit.

Në javët në vijim, pema do të dekorohet me mijëra drita, duke u shndërruar në një nga pamjet më ikonike të Krishtlindjeve në botë. Çdo vit, mijëra njerëz mblidhen në Manhattan për të parë nga afër bredhin e famshëm dhe për të realizuar fotografi pranë tij.

Një traditë që nisi në vitin 1931

Historia e pemës së Krishtlindjeve në Rockefeller Center daton në vitin 1931, kur punëtorët që po ndërtonin kompleksin vendosën të vendosnin një bredh të vogël dhe ta zbukuronin me kurora të improvizuara.

Dy vite më vonë, në vitin 1933, u organizua ceremonia e parë zyrtare e ndezjes së dritave, duke nisur një traditë që do të bëhej pjesë e pandashme e festimeve të Krishtlindjeve në Nju Jork.


Që prej asaj kohe, bredhi i Rockefeller Center është kthyer në një simbol të festave të fundvitit, duke tërhequr çdo vit vizitorë nga e gjithë bota.

Me mbërritjen e pemës së këtij viti, numërimi mbrapsht për Krishtlindjet ka nisur zyrtarisht në Nju Jork, ndërsa Rockefeller Center po përgatitet të kthehet sërish në një nga destinacionet më të vizituara gjatë sezonit festiv.

Top Channel