Zbulimi i ri për kërkimin e jetës jashtëtokësore, shkencëtarët krijojnë një Tokë virtuale Përdorimi gjithnjë e më i madh i internetit dhe i mjeteve digjitale po shoqërohet edhe me shqetësime të reja për sigurinë, privatësinë dhe ndikimin e teknologjisë në jetën e përditshme.
Në Shqipëri, shqetësimi kryesor lidhet me sigurinë dhe mirëqenien e fëmijëve në internet, një çështje që rezulton më e theksuar se mesatarja e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Sipas raportit “Balkan Barometer 2025”, të publikuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC), 50% e të anketuarve në Shqipëri përmendin sigurinë dhe mirëqenien e fëmijëve si shqetësimin kryesor që lidhet me përdorimin e internetit. Kjo shifër është 7 pikë përqindje më e lartë se mesatarja e Ballkanit Perëndimor, ku ky shqetësim ndahet nga 43% e qytetarëve.
Në vendin e dytë renditen krimet në internet, si vjedhja e të dhënave personale apo e informacionit të kartave bankare. Për këtë rrezik shprehen të shqetësuar 39% e shqiptarëve, një përqindje pothuajse e njëjtë me mesataren rajonale prej 40%.
Një tjetër element ku Shqipëria qëndron nën mesataren rajonale është siguria e pagesave online. Vetëm 21% e të anketuarve në vend e identifikojnë këtë si shqetësim, kundrejt 26% në nivel rajonal.
Ndërkohë, 13% e shqiptarëve shprehen të shqetësuar për mungesën e aftësive të nevojshme digjitale për të përdorur në mënyrë aktive teknologjinë, një shifër e njëjtë me mesataren e Ballkanit Perëndimor.
Edhe frika se përdorimi i inteligjencës artificiale mund të çojë në humbjen e vendeve të punës rezulton relativisht e ulët në Shqipëri. Vetëm 6% e të anketuarve e përmendin këtë si shqetësim, krahasuar me 8% në nivel rajonal.
Megjithatë, një nga të dhënat më interesante të raportit lidhet me qytetarët që nuk shohin arsye për t’u shqetësuar nga rritja e përdorimit të internetit dhe mjeteve digjitale. Në Shqipëri, kjo përgjigje regjistron 30%, kundrejt 22% të mesatares rajonale.
Kështu, Shqipëria rezulton vendi me përqindjen më të lartë në Ballkanin Perëndimor të qytetarëve që deklarojnë se nuk shqetësohen nga këto zhvillime/Scan/
Top Channel