Rama - Berisha!

Rama - Berisha!

Nga Çim Peka - 08/11/2026

‘Rama në burg, Berisha në burg!’

Disa studentë e thërrasin nga padija politike dhe juridike. Të tjerë mund të mos e kuptojnë se po përdoren në një betejë që s’ka lidhje me arsyen pse dolën në shesh. Para se ta përsërisin, kam një pyetje për ta. A e dini se Sali Berisha kaloi afro një vit në arrest shtëpie, pikërisht në prag të zgjedhjeve?

Për shkak të moshës, ligji e kufizonte mundësinë e arrestit në qeli. Berisha u mbyll në shtëpi. Nga vendimet e gjykatave doli një paradoks. Në letër, ndalimi për të dalë jashtë shtetit ishte i padrejte sipas GJK, por mbyllja në shtëpi i drejtë. Në praktikë, Berisha nuk mund të dilte as nga dera për të takuar zgjedhësit, por kishte të drejtë të udhëtonte jashtë. Po ta çosh këtë logjikë deri në fund, ai mund të mendonte si të arratisej, ndërsa për të bërë fushatë në vendin e vet s’mund të dilte nga shtëpia. Për mua, ky ishte pikërisht rezultati që i duhej Ramës.

Kur të huajt e pyetën Ramën si do t’i bënte zgjedhjet me dy liderët e opozitës nën arrest, përgjigjja që kam parë vetë në një SMS te Batonit ishte kjo. «Kam krijuar parti “opozitare” të reja. I bëj me ata.»

Mbajeni mend atë përgjigje kur të dëgjoni Qorrin, Llapaqenin dhe vlonjatin me zë të hollë të përkrahin sloganin «Rama në burg, Berisha në burg». Njerit i menaxhon gruaja miliona euro me 7 fishin e kostove të rindërtimit, tjetri është rival me Olsi Ramën në biznes por nuk thotë një fjalë për biznesin e paligjshëm të Olsit, dhe i fundit avokati i trafikantit ndërkombëtar të drogës në investimet në prona në Shqipëri. Ata e dinë se nuk e mundin dot Ramën, as nuk janë të lirë të tentojnë. E dinë gjithashtu se nuk arrijnë dot as peshën e Berishës së plagosur politikisht nga SPAK-u, ndërkombëtarët dhe Rama. Prandaj, në leximin tim, thërrasin «Berisha në burg», por politikisht kanë në mendje «Berisha në varr». Duan që Berisha të zhduket nga skena dhe të zënë radhën për vendin e tij, me shpresën se një ditë do të marrë fund edhe pushteti i Ramës. Për ta, beteja e sotme është se kush do ta trashëgojë opozitën. Për studentët, pyetja duhet të jetë: Si largohet qeveria.

E dini pse Berisha nuk është më në arrest shtëpie? Përgjigjja fillon në Strasburg. Sapo çështja e arrestit të Berishës mori përparësi atje, drejtësia shqiptare hoqi arrestin shtëpiak. Më pas erdhi masa e detyrimit të paraqitjes. Unë e lexoj atë kthesë si përpjekje të një drejtësie të kapur nga Rama për të shpëtuar fytyrën përpara Strasburgut. Dhe sot, edhe pse çështja është në gjykim, Berisha vazhdon të paraqitet në SPAK. Rast unik. Çfarë nevoje konkrete sigurimi plotëson sot paraqitja në SPAK, kur dosja po gjykohet?

Studentët duhet të kuptojnë një gjë. Në burg të çon ligji. Qeveritë mund të rrëzohen nga protestat. Kryetarin e opozitës e zgjedh anëtarësia. Nga politika të nxjerr vota. Demokratëve s’mund t’u thuash «hajdeni në shesh» dhe në të njëjtën frymë t’u kërkosh të asgjësojnë politikisht njeriun që kanë zgjedhur vetë. Ai e ka provuar arrestin shtëpiak me vendim të drejtësisë shqiptare. Bindja ime është se ndërhyrja e Strasburgut në çështje bëri që ajo masë të merrte fund.

Ndajeni mendjen. Jeni në shesh për t’u bërë opozita e tre kalamajve në moshë burrash apo për të rrëzuar Ramën? Sepse Ramën pa popullin e opozitës nuk e rrëzoni dot. Rrëzojeni Ramën, hapeni sistemin, garantoni zgjedhje të lira. Pastaj çojeni në shtëpi edhe Berishën, po i patët votat.

Unë besoj se Rama vazhdon të qeverisë sepse krimi ka cenuar votën dhe ka mbajtur në këmbë pushtetin e tij. Dhe ju sot keni një shesh ku mund të protestoni edhe sepse demokratët qëndruan në këmbë, aq sa mundën, përballë këtij pushteti për 14 vjet. Në vitet e Saimir Tahirit, një pjesë e brezit tuaj dehej me hashash, ndërsa një pjesë e brezit të prindërve tuaj shitej, dorëzohej përballë krimit ose shijonte thërrimet e biznesit të hashashit. Ata që qëndruan në këmbë, demokratët, meritojnë të dëgjohen edhe kur vota e tyre nuk ju pëlqen.

Edhe reporterët që po sakrifikojnë në terren duhet t’i mbajnë këmbët në tokë. Listën e opozitës nuk e bën Irfan Hysenbelliu. Kur Rama i jepte «bylmet», siç e kam parë unë atë marrëdhënie, ekranet e Irfanit transmetonin Erion Veliajn duke mbjellë pemë në Baldushk. Lejen e hotelit ia kishte firmosur vetë Rama, sipas Hysenbelliut. Kur u prishën interesat dhe hoteli u hodh në erë, Syri transmetonte dhe denonte shembjen, News 24 në të njejtin orar transmetonte Veliajn duke mbjellë pemë.

Kaq për pretendimin se kush ka të drejtë të ndajë sot opozitarët e pranueshëm nga ata që duhen nxjerrë prej sheshit.

Bëhuni seriozë. Nëse doni të mundni Berishën, mblidhni votat. Nëse doni të largoni Ramën, mblidhni njerëzit që mund ta mundin. Sa herë që i përzini ata nga sheshi, Ramës i lini më pak njerëz përballë dhe më shumë kohë në pushtet.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco