Ideja për ndërtimin e një stadiumi nacional për ceremonitë hapëse dhe mbyllëse të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030 është diskutuar vazhdimisht. Tashmë, megjithatë, zgjerimi dhe modernizimi i stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë po konsiderohen ndër alternativat kryesore.
Presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, i tha KosovaPress-it se zgjerimi i stadiumit ekzistues është një mundësi që duhet vlerësuar. Ai paralajmëroi se ndërtimi i një impianti të ri mund të kushtojë më pak se rinovimi i stadiumit të vjetër.
Të lidhura
None found
Krasniqi ngriti gjithashtu shqetësimin për kapacitetin e infrastrukturës përreth “Fadil Vokrrit”. Sipas tij, hapësira aktuale nuk është e përshtatshme për pritjen e numrit të madh të shikuesve që pritet të marrin pjesë në një ngjarje të tillë.
“Një nga propozimet ka qenë rinovimi i stadiumit ‘Fadil Vokrri’ dhe shtimi i ulëseve, projekt që mund të realizohet. Megjithatë, mendoj se ndërtimi i një stadiumi të ri mund të na kushtojë më pak sesa renovimi i atij ekzistues, pasi bëhet fjalë për një stadium mjaft të vjetër dhe nuk e di nëse betoni i tij i plotëson kriteret për rinovim.
“Prishja e një pjese dhe ndërtimi nga e para mund të ketë kosto. Shqetësimi im kryesor për stadiumin ‘Fadil Vokrri’ është infrastruktura përreth. Edhe pse Prishtinës mund t’i duhet një stadium i tillë në qendër, duhet llogaritur se mund të vijnë njëherësh 25.000 shikues, sepse ky është kapaciteti që duhet të ketë. Ata do të mbërrijnë me autobusë, ndërsa hapësira aktuale përreth stadiumit është e kufizuar dhe e papërshtatshme për qasje. Nevojitet një zonë shumë më e madhe. Stadiumi mund të ndërtohet, por pa infrastrukturën përkatëse do të ketë vështirësi, ndonëse ky është një problem që mund të zgjidhet.
“Në mbledhjen e ardhshme do ta shqyrtojmë. Ne jemi të gatshëm që ‘Fadil Vokrri’ të rindërtohet me kapacitet prej 20.000 deri në 25.000 ulëse. Edhe ndërtimi i një stadiumi të ri diku pranë Prishtinës do të ishte i mirëseardhur”, u shpreh Krasniqi.
Trajneri i futbollit Bylbyl Sokoli e cilësoi të mirë propozimin për zgjerimin dhe modernizimin e “Fadil Vokrrit”. Ai tha se ky stadium, së bashku me stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, mund të përdoren për ceremonitë hapëse dhe mbyllëse të Lojërave Mesdhetare.
Sokoli rikujtoi se futbolli kosovar dhe përfaqësimi ndërkombëtar i vendit kanë nevojë për një stadium nacional.
Musa Selimi, kryetar i Federatës së Sporteve Universitare, mendon se “Fadil Vokrri” mund të përgatitet për ceremoninë hapëse përmes një projekti profesional dhe shtimit të ulëseve në tribunat lindore, veriore dhe jugore.
Sipas Selimit, dy vjet do të mjaftonin për të plotësuar kriteret e nevojshme. Ai shtoi se mbajtja e ceremonisë në qendër të Prishtinës do të sillte përfitime për ekonominë dhe gastronominë.
Zgjerimi dhe modernizimi i “Fadil Vokrrit” po shihet gjithnjë e më shumë si një mundësi për ceremonitë e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030. Vendimi përfundimtar dhe mundësia e përfundimit të projektit brenda afateve të parapara mbeten ende të paqarta.






