Siguria e fëmijëve në hapësirën digjitale është shqetësimi që dominon te qytetarët shqiptarë përballë përdorimit gjithnjë e më të madh të internetit dhe teknologjisë. Madje, kjo çështje rezulton më shqetësuese në Shqipëri sesa në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Sipas raportit “Balkan Barometer 2025”, të publikuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC), gjysma e të anketuarve në Shqipëri, ose 50%, e rendisin sigurinë dhe mirëqenien e fëmijëve në internet si shqetësimin kryesor. Në nivel rajonal, kjo përqindje është 43%.
Në vendin e dytë renditen krimet kibernetike, përfshirë vjedhjen e të dhënave personale dhe informacionit të kartave bankare. Për këtë rrezik shprehen të shqetësuar 39% e shqiptarëve, ndërsa mesatarja e Ballkanit Perëndimor është 40%.
Sa i përket sigurisë së pagesave online, vetëm 21% e të anketuarve në Shqipëri e konsiderojnë atë problem shqetësues, kundrejt 26% në nivel rajonal.
Raporti evidenton gjithashtu se 13% e qytetarëve shqiptarë druhen se nuk kanë aftësitë e nevojshme digjitale për të përdorur teknologjinë në mënyrë aktive. Kjo shifër përputhet me mesataren e rajonit.
Ndërsa frika se zhvillimi i inteligjencës artificiale mund të sjellë humbjen e vendeve të punës duket më pak e përhapur. Vetëm 6% e të anketuarve në Shqipëri e përmendin këtë si shqetësim, krahasuar me 8% në Ballkanin Perëndimor.
Një tjetër e dhënë që bie në sy është përqindja e qytetarëve që nuk shohin arsye për t’u shqetësuar nga zgjerimi i përdorimit të internetit dhe mjeteve digjitale. Në Shqipëri, 30% e të anketuarve kanë dhënë këtë përgjigje, ndërsa mesatarja rajonale është 22%.
Kjo e rendit Shqipërinë të parën në Ballkanin Perëndimor për përqindjen e qytetarëve që deklarojnë se zhvillimet në internet dhe teknologji nuk përbëjnë shqetësim për ta.

