Imami shqiptar Bashkim Aliu shkarkohet pas zbulimit të deklaratave homofobe
Imami shqiptar Bashkim Aliu është larguar nga funksionet drejtuese në organizatat kryesore islame në Zvicër, pas publikimit të një investigimi mediatik që ka vënë në pikëpyetje qëndrimet e tij publike dhe lidhjet me qarqe islamike kontroverse.
Hulumtimi i gazetës zvicerane “SonntagsZeitung” ka nxjerrë në pah deklarata të Aliut kundër komunitetit LGBT, si dhe pjesëmarrjen e tij në aktivitete ku kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të organizatave dhe lëvizjeve radikale islamike.
Deri pak ditë më parë, Aliu drejtonte Komisionin e Imamëve pranë Federatës së Organizatave Islamike në Zvicër (FIDS), ndërsa mbante edhe funksionin e autoritetit më të lartë teologjik të Bashkimit të Organizatave Islamike në Zyrih (VIOZ). Për shkak të këtyre roleve, ai kishte kontakte të rregullta zyrtare me institucionet kantonale dhe komunale.
Por publikimi i investigimit solli pasoja të menjëhershme. FIDS vendosi ta largojë nga detyrat drejtuese, ndërsa Aliu u detyrua të japë dorëheqjen nga të gjitha funksionet brenda VIOZ-it.
Postimet kundër komunitetit LGBT dhe konferenca në Katar
Një prej elementeve të evidentuara nga gazeta zvicerane lidhet me qëndrimet e mëparshme publike të imamit. Në një postim të vitit 2017, Aliu e kishte cilësuar paradën “Pride” në Prishtinë si një “paradë të turpit”, një deklaratë që është rikthyer në vëmendje pas publikimit të hulumtimit.
Pas raportimit, organizatat VIOZ dhe FIDS u distancuan nga këto qëndrime, duke theksuar se deklaratat homofobe dhe ato që cenojnë dinjitetin njerëzor janë në kundërshtim me parimet e tyre dhe me legjislacionin zviceran.
Një tjetër element që ka rënduar situatën është pjesëmarrja e Aliut në një aktivitet ndërkombëtar në Doha të Katarit, në janar të vitit 2024. Bëhet fjalë për Asamblenë e Përgjithshme të Bashkimit Ndërkombëtar të Dijetarëve Myslimanë, organizatë që në raportimin mediatik përshkruhet si e afërt me Vëllezërit Myslimanë.
Në të njëjtën veprimtari kishte mbajtur fjalim edhe Ismail Hanije, ish-kreu i Hamasit, i cili u vra në Teheran në vitin 2024 në një operacion që iu atribuua Izraelit.
Drejtuesit e FIDS deklaruan se nuk kishin pasur dijeni për pjesëmarrjen e imamit në këtë konferencë. Nga ana tjetër, VIOZ sqaroi se Aliu nuk kishte udhëtuar në emër të organizatës dhe se rrethanat e pjesëmarrjes së tij do t’i nënshtroheshin verifikimeve të mëtejshme.
Në fokus edhe 2.5 milionë frangat nga fondet publike
Çështja ka marrë një dimension tjetër për shkak të mbështetjes financiare që organizatat ku Aliu mbante funksione kanë përfituar nga institucionet publike zvicerane.
Sipas të dhënave të bëra publike, nga viti 2017 deri në vitin 2025, kantoni i ka akorduar VIOZ-it rreth 2.5 milionë franga zvicerane për projektin e kujdesit shpirtëror islamik në institucionet publike.
Kësaj shume i shtohet edhe një financim vjetor prej 50 mijë frangash nga qyteti i Zyrihut.
Largimi i imamit nga funksionet drejtuese ka rikthyer debatin mbi kriteret që duhet të përmbushin përfaqësuesit fetarë që mbajnë role zyrtare dhe bashkëpunojnë me institucionet shtetërore, veçanërisht kur organizatat që përfaqësojnë përfitojnë financime nga taksapaguesit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



