Ulja e TVSH-së për 54 produkte ushqimore, sfida e përfitimit nga konsumatori

Ekonomi | 1 minutë më parë

Një produkt që sot kushton 120 lekë, përfshirë TVSH-në 20% ka aktualisht një çmimi neto 100 lekë. Me TVSH 6%, nëse nuk ndryshon asnjë element tjetër, çmimi i ri duhet te jetë 106 lekë. Në paketën fiskale, ulja e TVSH-së nga 20% në 6% për 54 produkte ushqimore eshte një mase me potencial për të lehtësuar kostot e konsumit familjar.

“Nisur nga kjo paketë, e cila është ndër paketat më të gjera dhe që vjen në një kohë të menjëhershme, natyrisht që meriton të quhet një kontratë e re fiskale, në lidhje me efektin që do të japë te qytetari, pasi ky është qëllimi kryesor. Por, si do të ndikojë ajo edhe te biznesi, i cili përçon efektet fiskale te qytetari, si dhe te ekonomia në tërësi, e cila ndikohet nga tërësia e masave dhe jo vetëm nga një masë fiskale”, u shpreh eksperti i ekonomisë Eduard Gjokutaj.

Ndërsa e vlerësojnë marrjen e kësaj mase, ekspertët nga ana tjetër paralajmërojnë veprimin e disa faktorëve pa ngatërruar uljen e taksës me uljen automatike të çmimit.

“Konkurrueshmëria, tregjet e përqendruara, të cilat i kemi evidentuar si probleme, mënyra se si prodhimi në vetvete mungon dhe importet diktojnë e ushtrojnë presion të vazhdueshëm. Gjithashtu, informaliteti, i cili nuk lejon përçimin e politikave, si dhe mënyra e të bërit biznes, e cila duhet të ndryshojë nga ajo e deritanishmja”, tha eksperti.

Diskutimi ekonomik se sa nga TVSH që heq qeveria arrin realisht te konsumatori final është një nga aspektet e ndjeshme të jetës nga buxheti i vitit të ardhshëm. Ndërsa vlerëson qëndrueshmërinë e buxhetit sipas projektit aktual, Gjokutaj, vë në rëndësi edhe faktorët që duhet ta shoqërojnë.

“Respekt atyre që lidhen kryesisht me çmimet e ushqimeve, por edhe me çmimet e produkteve që prodhohen prej tyre, pasi një pjesë e tyre shërbejnë si lëndë e parë për prodhuesit. Natyrisht, është një situatë shumë më komplekse, e cila nuk përbën një formulë matematikore, ku ashtu siç llogaritet, ashtu edhe del”, theksoi ai.

Sipas ekspertizës, që politika të arrijë objektivin e saj social, qeveria nuk duhet të masë vetëm koston buxhetore të masës por edhe ndryshimin e çmimeve në treg.

“Qeveria duhet të menaxhojë sistemet e të dhënave që ka, të rrisë transparencën për të përmirësuar perceptimin publik dhe, nga ana tjetër, të forcojë kontrollet në mënyrë të tillë që ato të bazohen te risku dhe të përqendrohen te subjektet që nuk i zbatojnë këto detyrime në mënyrë të përgjegjshme’, tha Gjokutaj.

Shqipëria ka përqendrim të ndryshëm të tregut sipas produkteve,  ndërkohë që sfida e zinxhirëve të furnizimit me fuqi të pabarabartë negociuese, ajo e informalitet dhe e gjurmueshmerisë së transaksioneve e bëjnë sigurimin e transmetimit të lehtësisë fiskale te konsumatori objekt të një politikë të posaçme monitorimi.

Gazetare: Entela Komnino

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme