Shqetësime serioze për cilësinë e ujit të pijshëm në Vlorë, pasi analizat e kryera në depozitën e ujit të kopshtit nr. 10 kanë zbuluar ndotje fekale. Paralelisht, në Spitalin Rajonal të qytetit raportohet për rritje të numrit të pacientëve që paraqiten me simptoma diarreje, mes tyre fëmijë dhe të rritur.
Problematika u bë e ditur pas rasteve të fëmijëve që kanë shfaqur probleme shëndetësore, dyshohet pas konsumimit të ujit në kopsht. Sipas informacioneve të raportuara, analizat e para të mostrave nga depozita evidentuan prani të amoniakut dhe mungesë të klorit, ndërsa rezultatet e fundit kanë zbuluar edhe ndotje fekale.
Prania e baktereve si E. coli në ujin e pijshëm mund të jetë tregues i ndotjes fekale dhe përbën rrezik për shëndetin publik. Megjithatë, ende nuk është konfirmuar nëse ka një lidhje të drejtpërdrejtë mes cilësisë së ujit në kopsht dhe shtimit të rasteve me probleme gastrointestinale në spital.
Ndërkohë, Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor në Vlorë po monitoron rrjetin e ujësjellësit dhe po kryen analiza çdo dy orë. Sipas të dhënave të raportuara, mostrat e marra drejtpërdrejt nga rrjeti i furnizimit me ujë kishin rezultuar të pastra në analizat e mëparshme, ndërsa shqetësimi është ngritur nga rezultatet e depozitës së kopshtit.
Qytetarët presin tashmë sqarime nga institucionet përgjegjëse nëse uji që furnizon qytetin është i sigurt për konsum, si dhe çfarë masash do të ndërmerren për të shmangur rrezikun për shëndetin e banorëve.

