Arrestohet 32-vjeçari në Gjirokastër, u kap duke transportontuar kundrejt pagesës një emigrant nga Afganistani
Një 32-vjeçar është arrestuar në Gjirokastër, pasi u kap duke transportuar kundrejt pagesës një emigrant nga Afganistani, i cili kishte hyrë ilegalisht në Shqipëri nga kufiri me Greqinë.
Gjatë operacionit policor të koduar “Zona 3”, u zbulua gjithashtu se drejtuesi i automjetit kishte shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata e Tiranës.
Sipas Policisë, automjeti tip “Renault”, me drejtues 32-vjeçarin K. B. dhe pasagjer 27-vjeçarin M. Gj., u ndalua në aksin rrugor Sarandë–Gjirokastër, në vendin e quajtur “Ura e Kardhiqit”.
Nga verifikimet rezultoi se 32-vjeçari ishte nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për veprat penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Ndërkohë, 27-vjeçari M. Gj. u procedua penalisht për moskallëzim krimi dhe mallra kontrabandë. Gjatë kontrollit të automjetit, policia gjeti dy çanta me veshje të ndryshme, të dyshuara si mallra kontrabandë, të cilat i përkisnin pasagjerit.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti, dy çantat me veshje dhe dy telefona celularë.




