Stërvitje kërkim-shpëtimi në mal, ekpiet shqiptare bashkëpunojnë me ata të Kosovës
Për herë të parë, ekipet e kërkim-shpëtimit malor të Shqipërisë dhe Kosovës zhvillojnë një stërvitje të përbashkët në territorin shqiptar.
Pas takimit të parë, një muaj më parë në Kosovë, ekipet bashkohen për të testuar aftësitë dhe koordinimin gjatë operacioneve të shpëtimit në terrene të vështira malore.
“Jemi në stërvitjen e dytë të radhës mes shoqatave të Kosovës dhe Shqipërisë. Ky trajnim synon bashkimin e njohurive në kërkim-shpëtimin me litar. Shumë shpejt do të vijojmë me trajnimet e radhës, të cilat do t’i zhvillojmë së bashku”, tha Mentor Maloku, kryetar i Shoqatës së Kërkim-Shpëtimit në Kosovë.
Shërbimi Vullnetar i Kërkim-Shpëtimit Malor në Shqipëri, i krijuar tre vite më parë, numëron tetë grupe të shpërndara pothuajse në të gjithë vendin.
“Në bazë të marrëveshjes që kemi me Shoqatën e Kërkim-Shpëtimit të Kosovës, kjo është stërvitja e parë që zhvillohet në Shqipëri. Ajo vjen pas stërvitjes së parë të zhvilluar në Kosovë dhe e pamë të arsyeshme të organizonim një të tillë edhe në Shqipëri. Besoj se këto lloj shërbimesh janë shumë të nevojshme”, tha Blerim Çeka, zv.kryetar i Shërbimit të Kërkim-Shpëtimit Malor në Shqipëri.
Stërvitja synon që ekipet e të dy vendeve të jenë më të përgatitura për ndërhyrje të shpejta dhe të koordinuara në situata emergjente.




