Rusia sulmon infrastrukturën energjetike të Ukrainës, qindra mijëra banorë mbeten pa energji në temperatura të ulëta
Në rajonin qendror të Dnipropetrovskut, më shumë se 600 mijë banorë kanë mbetur pa energji elektrike, pasi një sulm gjatë natës dëmtoi objekte të rëndësishme energjetike. Ndërkohë, një dron rus goditi një objekt të infrastrukturës kritike në rajonin verilindor të Kharkivit, duke lënë rreth 250 mijë abonentë pa energji elektrike.
Presidenti ukrainas deklaroi se sulmet gjatë natës shkaktuan ndërprerje të energjisë në të gjithë vendin. Vetëm në rajonin e Zhytomirit, 140 pallate mbetën pa ngrohje, ndërsa temperaturat në Ukrainë kanë zbritur pranë zeros.
Zelensky njoftoi gjithashtu se Rusia kishte sulmuar me dron një fshat në rajonin e Zaporizhjas, ku prej shtatë ditësh vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit pas goditjes së një qendre të shpërndarjes së ndihmave humanitare. Numri i viktimave nga sulmi i së hënës ka arritur në 55, nga 50 që ishte bilanci i raportuar më parë, ndërsa lideri ukrainas thotë se ende mund të ketë persona të tjerë nën rrënoja.
Sulmet e fundit vijnë një ditë pasi Ministria ukrainase e Energjisë njoftoi se një goditje masive ndaj objekteve energjetike kishte lënë pa energji banorët në pesë rajone dhe kishte penguar ndjeshëm transmetimin e energjisë elektrike në Kiev. Presidenti Zelensky akuzoi Moskën se po intensifikon sulmet për të ushtruar presion ndaj Kievit, në prag të bisedimeve trepalëshe të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, që pritet të zhvillohen në Abu Dhabi të martën dhe të mërkurën.
Rusia ka goditur vazhdimisht rrjetin energjetik dhe infrastrukturën ukrainase gjatë më shumë se katër viteve të pushtimit, ndërsa Ukraina po përgatitet për të kaluar një tjetër dimër të vështirë në kushte lufte.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



