Portieri që mund të zgjedhë Shqipërinë shkëlqen në “Serinë A” dhe jep mesazhin e tij
Elia Caprile ka reaguar pas fitores së rëndësishme me fanellën e Cagliarit kundër Frosinones, ku portieri italian u shpall lojtari i ndeshjes falë paraqitjes së tij në këtë takim.
Gardiani 24-vjeçar, i cili është përmendur si një kandidat potencial për të mbrojtur portën e Kombëtares shqiptare, ka shprehur kënaqësinë për suksesin e arritur, duke theksuar rëndësinë e tri pikëve të marra përpara tifozëve të skuadrës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Caprile shkroi:
“Jemi rikthyer te fitorja dhe e kemi bërë në mënyrën më të mirë të mundshme: në një ndeshje të vështirë dhe në shtëpinë tonë, përpara tifozëve tanë. Tri pikë themelore”.
Paraqitjet e mira të Caprile vazhdojnë ta mbajnë emrin e tij në vëmendje, ndërsa mundësia që ai të jetë një alternativë për portën e Shqipërisë mbetet një çështje interesante për t’u ndjekur.
Megjithatë, deri tani nuk bëhet fjalë për një vendim apo konfirmim zyrtar në lidhje me një zgjedhje të tillë.




