ValA aktuale e kërcënimeve në Evropë konsiderohet e jashtëzakonshme. Sipas Organizatës Evropiane për Sigurinë e Navigacionit Ajror (Eurocontrol), më 5 dhe 6 nëntor u regjistruan kërcënime për bombë ndaj 14 fluturimeve në secilën prej këtyre ditëve, ndërsa më 3 nëntor ndaj shtatë fluturimeve.

Edhe pse herë pas here ka kërcënime kundër fluturimeve të veçanta ose kompanive ajrore, një numër kaq i madh incidentesh brenda një periudhe kaq të shkurtër është i pazakontë. Sipas kontrollit ajror gjerman, nuk mbahet mend një rast i ngjashëm me këtë përmasë.

Sipas një përmbledhjeje të portalit Aerotelegraph, në tetor të vitit 2024 disa kompani ajrore indiane u kërcënuan njëkohësisht përmes postimeve në rrjetet sociale. Ndërsa në vitin 2023, Aeroporti i Hamburgut ishte objekt i një kërcënimi për bombë, i cili megjithatë ishte pjesë e një vale më të gjerë kërcënimesh ndaj objektivave të ndryshëm në Gjermani.

Kush i verifikon këto kërcënime?

Kjo varet nga vendi dhe mënyra se si merret kërcënimi. Kompanitë ajrore dhe aeroportet njoftojnë menjëherë autoritetet e sigurisë dhe njëkohësisht krijojnë shtabe krizash për të menaxhuar situatën.

Për një fluturim që tashmë është në ajër, përgjegjësia përfundimtare i takon kapitenes ose kapitenit të avionit, thekson shoqata profesionale gjermane e pilotëve Vereinigung Cockpit. Ata vendosin nëse fluturimi do të vazhdojë, do të devijohet drejt një destinacioni tjetër apo do të kryhet një ulje e menjëhershme.

Megjithatë, autoritetet shtetërore mund ta kufizojnë këtë vendimmarrje, për shembull duke refuzuar uljen në një aeroport të caktuar ose duke e detyruar avionin të drejtohet drejt një aeroporti tjetër, madje edhe me shoqërimin e avionëve ushtarakë interceptues.

Kush qëndron pas këtyre kërcënimeve?

Kjo ende nuk është e qartë. Deri tani ekzistojnë vetëm hamendësime, ndërsa autoritetet në disa vende evropiane po zhvillojnë hetime për incidentet.

Numri i madh i sulmeve konsiderohet deri më tani si një veprim i koordinuar, qoftë nga individë të veçantë apo edhe nga aktorë të drejtuar nga shtete. Ekziston edhe rreziku që kërcënimeve t'u bashkohen imitues, të cilët mund të lëshojnë kërcënime të ngjashme.

Po ashtu, mbetet e paqartë nëse kërcënimet e fundit ndaj mediave në Irlandë lidhen me incidentet në trafikun ajror. Megjithatë, sipas agjencisë së lajmeve PA, qeveria irlandeze ka deklaruar se kërcënimet ndaj mediave erdhën "menjëherë pas ndërprerjeve të vazhdueshme në trafikun ajror evropian, të shkaktuara nga kërcënime të ngjashme”, dhe se duket e mundshme që bëhet fjalë për një fushatë të koordinuar destabilizuese.

Cilat rregulla zbatohen në rast të një kërcënimi për bombë në bord?

Ekuipazhet e avionëve të pasagjerëve trajnohen rregullisht edhe për situata që lidhen me kërcënime për bombë. Për raste të tilla ekzistojnë plane emergjence, të cilat pilotët dhe stjuardesat duhet t'i zbatojnë sipas procedurave të përcaktuara. "Bëhet fjalë për të ruajtur qetësinë dhe për të hartuar një plan veprimi”, thotë piloti me përvojë i avionëve Boeing, Matthias Baier.

Nëse avioni ndodhet tashmë në ajër, zakonisht, në varësi të nivelit konkret të kërcënimit, ai devijohet drejt aeroportit më të afërt të përshtatshëm për të kryer evakuimin e pasagjerëve. Ky vendim merret në koordinim me kontrollin e trafikut ajror dhe autoritetet kompetente të sigurisë.

A informohen pasagjerët në rast të një kërcënimi?

Nëse dhe kur pasagjerët informohen për kërcënimin, varet nga situata konkrete. Prioriteti kryesor është që ekuipazhi të mund të zbatojë në mënyrë të rregullt dhe të sigurt masat e nevojshme të sigurisë.

Në varësi të procedurave që zbatohen, mund të merren edhe masa të tilla si çaktivizimi i internetit në bord (Wi-Fi) dhe i mundësive për karikimin e pajisjeve elektronike.

Po ashtu, në kushte të përshtatshme fluturimi, mund të parashikohet edhe zvogëlimi i diferencës së presionit midis kabinës dhe ajrit të jashtëm, me qëllim kufizimin e pasojave të mundshme të një shpërthimi. Një barazim i papritur i presionit do t'i përkeqësonte efektet e një shpërthimi.

Çfarë ndodh nëse në bord gjendet një mjet i dyshuar shpërthyes?

"Ne nuk jemi ekspertë të eksplozivëve, por natyrisht duhet të bëjmë gjithçka që pasojat e një shpërthimi të mundshëm të jenë sa më të vogla”, thotë piloti Matthias Baier.

Për trajtimin e objekteve të dyshimta ekzistojnë procedura të posaçme, për të cilat ekuipazhet trajnohen paraprakisht. Masat konkrete që ndërmerren varen nga situata specifike dhe nga udhëzimet e prodhuesit të avionit. Qëllimi kryesor është të kufizohen sa më shumë që të jetë e mundur pasojat e mundshme për personat në bord dhe për vetë avionin.

Çfarë ndodh pas uljes?

Si rregull, pas uljes avioni drejtohet në një zonë të posaçme, të ndarë nga pjesa tjetër e operacioneve të aeroportit. Aty, në rastin më të mirë, tashmë ndodhen ekipet e zjarrfikësve, forcat e sigurisë dhe specialistët për hetimin e objekteve të dyshimta.

Pasagjerët largohen nga avioni sipas situatës konkrete dhe në përputhje me udhëzimet e ekuipazhit. Më pas, avioni i nënshtrohet një kontrolli të detajuar nga ekspertët përgjegjës, të cilët verifikojnë nëse ekziston ndonjë rrezik real dhe nëse kërcënimi ka qenë i bazuar apo jo.

Çfarë të drejtash kanë pasagjerët në rast vonesash?

Sipas portalit për të drejtat e pasagjerëve ajrorë Flightright, anulimet ose vonesat e fluturimeve të shkaktuara nga kërcënime për bombë konsiderohen rrethana të jashtëzakonshme. Kjo do të thotë se kompanitë ajrore zakonisht përjashtohen nga detyrimi për të paguar kompensim financiar sipas rregullave evropiane për të drejtat e pasagjerëve.

Megjithatë, pavarësisht kësaj, linjat ajrore mbeten të detyruara të kujdesen për pasagjerët dhe të sigurojnë që ata të mbërrijnë në destinacionin e planifikuar sa më shpejt të jetë e mundur./DW