Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar raportin e fundit të Komisionit Evropian për Shqipërinë, duke e cilësuar atë si një pasqyrim të realitetit të vendit dhe një kritikë të fortë ndaj qeverisë së Edi Ramës.
Në një deklaratë për mediat, Berisha akuzoi kryeministrin dhe zëvendëskryeministren Belinda Balluku për korrupsion dhe pengim të drejtësisë, ndërsa pretendoi se gjetjet e raportit përputhen me denoncimet e vazhdueshme të opozitës.
“Raporti i Komisionit Europian, në çdo rresht, në çdo paragraf, Padrino dhe organizata e tij kriminale merrnin nga një damkë të zezë”, u shpreh Berisha, duke përdorur etiketime të ashpra ndaj kryeministrit dhe qeverisë.
Sipas kreut të PD-së, raporti evidenton problematika në zgjedhje, të cilat, sipas tij, nuk garantuan barazi mes palëve në garë. Ai akuzoi gjithashtu Ramën dhe Kuvendin për bllokimin e zbatimit të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa e cilësoi Ballukun si një nga figurat kryesore të kritikuara në raport.
Berisha pretendoi se dokumenti i Komisionit Evropian mbështet protestat kundër qeverisë dhe evidenton rënien e prodhimit në vend, ligjet që, sipas tij, favorizojnë klientelën, si dhe problematikat në prokurimet publike.
Duke iu referuar tenderave, ai përmendi anulimin e 38% të procedurave, fitimin e 25% të tyre me vetëm një ofertë dhe faktin se rreth 30% e tenderave janë fituar me vlerën më të lartë. Sipas Berishës, këto të dhëna dëshmojnë për abuzime me fondet publike.
Kreu i opozitës akuzoi gjithashtu familjarë të kryeministrit dhe persona të lidhur me ta për përfitime nga procedurat e prokurimit, duke përmendur Armand Frangun dhe Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Ai pretendoi se këta persona kanë përfituar nga tenderat me procedura sekrete dhe me vetëm një ofertë.
Berisha u ndal edhe te roli i opozitës në hartimin e raportit, duke deklaruar se Partia Demokratike ka ndihmuar në sjelljen në Shqipëri të misionit faktmbledhës të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian, si dhe të një misioni të Partisë Popullore Evropiane (EPP), me përfaqësues nga 30 parti.
“Opozita ia doli të bindë dhe të sjellë në Shqipëri misionin faktmbledhës të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian, i cili hartoi një raport që është pasqyruar në tërësi plotësisht në raportin e Komisionit Europian”, deklaroi ai.
Në përfundim, Berisha tha se opozita ka përmbushur detyrën e saj në mbrojtje të interesave të qytetarëve, por shtoi se mbetet ende punë për atë që e cilësoi si zbërthimin e mëtejshëm të “narkoshtetit” dhe ndikimit të krimit në Shqipëri.