Vendosni fjalën kyçe....

Auron Tare: Integrimi nuk është asimilim, shqiptarët në emigracion nuk duhet të harrojnë identitetin e tyre



Historiani dhe studiuesi Auron Tare ka ndarë në Facebook një reflektim mbi ruajtjen e identitetit kulturor dhe kombëtar nga shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, duke marrë si pikënisje historinë e senatorit të zgjedhur të Michiganit, Abdulrahman Mohamed El-Sayed.

Tare sjell në vëmendje një fjalim të El-Sayed në Virginia, ku politikani u prezantua me emrin e tij të plotë përpara një organizate që përfaqëson komunitetet arabe në Shtetet e Bashkuara. Sipas tij, El-Sayed ka shënuar një moment historik në politikën amerikane, ndërsa gara e tij për në Senat u shoqërua me interes të madh edhe për shkak të sulmeve dhe paragjykimeve që, sipas autorit të postimit, u drejtuan ndaj tij për shkak të emrit dhe përkatësisë fetare.

Në reflektimin e tij, Tare veçon rrëfimin e politikanit për vështirësitë që kishte përjetuar që në shkollë, kur emri i tij shihej me paragjykim, përçmohej ose ngjallte frikë. Megjithatë, El-Sayed kishte këmbëngulur të prezantohej gjithmonë me emrin e plotë dhe të mos hiqte dorë nga identiteti i tij kulturor, fetar dhe njerëzor.

Duke u ndalur te kjo histori, Tare e lidh çështjen me përvojën e shqiptarëve në emigracion, të cilët, sipas tij, ndonjëherë e ngatërrojnë integrimin me braktisjen e identitetit. Ai vëren se, në përpjekje për t’u pranuar në shoqëritë ku jetojnë, disa emigrantë zgjedhin të fshehin emrat, gjuhën, traditat, kulturën apo besimin e tyre, duke ua përcjellë këtë shkëputje edhe brezave të rinj.

“Por a është kjo ajo që duhet të kuptojmë me integrim? A duhet të heqim dorë nga ajo që jemi për t’u bërë pjesë e një shoqërie tjetër?”, shkruan Tare.

Ai thekson se historia e El-Sayed tregon se një individ mund të jetë plotësisht pjesë e shoqërisë amerikane pa mohuar origjinën e tij arabe dhe besimin mysliman. Sipas tij, integrimi nuk duhet të nënkuptojë asimilim dhe as heqje dorë nga rrënjët.

Në vijim, Tare nënvizon edhe përgjegjësinë e Shqipërisë për të ruajtur lidhjen me brezat e rinj të emigracionit. Ai argumenton se vendi duhet të krijojë mundësi që këta të rinj të ndihen pjesë e tij, edhe kur jetojnë mijëra kilometra larg, në mënyrë që të mos humbasin lidhjen me gjuhën, kulturën dhe historinë e origjinës.

“Sepse një komb nuk e humbet identitetin vetëm kur i braktisin qytetarët e tij. E humbet atëherë kur brezat që lindin larg tij nuk ndiejnë më asnjë lidhje me të”, shkruan ai.

Në përfundim, Tare e cilëson mesazhin e senatorit si një reflektim që shkon përtej historisë së tij personale, duke e përmbledhur me idenë se respektimi i shoqërisë ku ndërtohet jeta nuk duhet të kërkojë harrimin e vendit prej nga vijnë njerëzit.