Një mace është kthyer në heroinë në San Biagio di Callalta, në provincën e Trevisos në Itali, pasi sjellja e saj e pazakontë ndihmoi në zbulimin e një rrjedhjeje të rrezikshme monoksidi karboni në një banesë, duke shpëtuar dy familje nga një helmim i mundshëm.
Sipas mediave italiane, kafsha nisi të mjaullinte vazhdimisht dhe në mënyrë të pazakontë, duke alarmuar pronarët e saj. Falë reagimit të tyre, u zbulua një përqendrim i rrezikshëm i monoksidit të karbonit, i shkaktuar nga një defekt në kaldajë.
Pas sinjalizimit, në vendngjarje mbërritën shërbimet e emergjencës, zjarrfikësit dhe personeli shëndetësor, të cilët ndërhynë për të shmangur pasojat e rënda të helmimit.
Rreziku nuk kërcënonte vetëm familjen ku ndodhej macja, por edhe banorët e apartamentit në katin e sipërm. Aty jetonin dy të rritur dhe dy fëmijë, përkatësisht gjashtë muajsh dhe tre vjeç.
Autoritetet shëndetësore vendore vlerësuan rolin e pazakontë të maces, pasi reagimi i saj ndihmoi që rreziku të zbulohej në kohë.
Monoksidi i karbonit njihet si “vrasësi i heshtur”, pasi është gaz pa ngjyrë dhe pa erë, çka e bën të vështirë dallimin e tij pa pajisje të posaçme. Ekspozimi ndaj përqendrimeve të larta mund të shkaktojë helmim të rëndë dhe të jetë fatal, veçanërisht kur burimi është një pajisje ngrohëse me defekt.


