Një organizatë kriminale, e përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë dhe e dyshuar për trafik ndërkombëtar të drogës dhe pastrim parash në disa vende të Evropës, është goditur nga autoritetet italiane në kuadër të operacionit antimafia të koduar “Caveau 38”.
Hetimet kanë zbuluar një rrjet që dyshohet se trafikonte kokainë mes Shqipërisë, Italisë, Holandës dhe Gjermanisë, ndërsa fitimet nga aktiviteti kriminal, në vlerën e miliona eurove, transferoheshin drejt Shqipërisë.
Sipas mediumit italian Il Giorno, operacioni u zhvillua nga Guardia di Finanza në Lecco, nën drejtimin e Drejtorisë së Antimafias në Milano dhe në bashkëpunim me hetuesit e SPAK-ut në Tiranë.
Nga hetimet dyshohet se gjatë viteve 2019–2022, organizata ka trafikuar rreth 240 kilogramë kokainë nga Shqipëria drejt Italisë. Ndërkohë, mbi 14 milionë euro të përfituara nga aktiviteti kriminal dyshohet se janë mbledhur dhe transferuar drejt Shqipërisë.
Në kuadër të hetimeve janë identifikuar 52 persona nën hetim, ndërsa gjatë operacionit janë arrestuar në flagrancë gjashtë persona. Autoritetet kanë sekuestruar gjithashtu mbi 1.5 milionë euro para të gatshme dhe rreth 32 kilogramë lëndë narkotike, mes tyre kokainë, heroinë dhe kanabis.
Një nga mekanizmat e dyshuar për pastrimin e parave ishte investimi në ar. Sipas hetuesve, organizata kishte siguruar afro tetë kilogramë lingota ari përmes një kompanie të përpunimit të metaleve të çmuara, me seli në Milano dhe Alessandria.
Një tjetër kompani, e vendosur në zonën e Lecco-s, dyshohet se shërbente si një lloj kasaforte financiare për grupin, përmes investimeve në pasuri të paluajtshme. Të dyja kompanitë janë vendosur nën sekuestro preventive dhe për to është caktuar një administrator gjyqësor, me qëllim garantimin e vazhdimësisë së aktivitetit të ligjshëm.
Për të koordinuar veprimtarinë, anëtarët e dyshuar të organizatës përdornin aplikacione të enkriptuara, përmes të cilave komunikonin për transaksionet e drogës dhe transferimin e parave. Transporti i lëndëve narkotike dhe i shumave të mëdha financiare kryhej me automjete dhe kamionë të përshtatur me hapësira të fshehta.
Hetimet nisën pas kontrolleve të Guardia di Finanza-s për shitjen e drogës në hapësirat publike të Cernusco Lombardone dhe Merate. Verifikimet e mëtejshme çuan në zbulimin e një rrjeti ndërkombëtar të dyshuar për trafik narkotikësh dhe pastrim parash.
Në operacion kanë marrë pjesë edhe hetues të SPAK-ut, ndërsa bashkëpunimi mes autoriteteve italiane dhe shqiptare ka ndihmuar në rindërtimin e lëvizjes së drogës dhe të parave mes katër shteteve.