Klekovski: Sistemi i paralajmërimit të hershëm për drogërat do të mundësojë mbrojtje më të shpejtë të shëndetit të qytetarëve

Ministria e Shëndetësisë, në kuadër të Agjendës së Reformave 2024–2027, po zbaton dy masa kyçe që lidhen me politikën ndaj drogërave dhe harmonizimin me legjislacionin e Bashkimit Evropian, njoftoi sot ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, përmes një postimi në Facebook.
Ai bëri të ditur se sot ka marrë pjesë në takimin koordinues për Agjendën e Reformave, ku janë shqyrtuar aktivitetet e Ministrisë së Shëndetësisë në këtë fushë.
“Është formuar një grup pune për harmonizimin e Ligjit për Kontrollin e Drogërave Narkotike dhe Substancave Psikotrope me legjislacionin e BE-së, ndërsa është në proces edhe lidhja e një marrëveshjeje pune me Agjencinë e BE-së për Drogërat (EUDA)”, deklaroi Klekovski.
Siç thekson ministri i Shëndetësisë, Komisioni Evropian ka miratuar kërkesën për një mision ekspertësh TAIEX, me qëllim përgatitjen e Strategjisë Kombëtare për Drogërat, në përputhje me Strategjinë e BE-së për Drogërat.
“Misioni do të përfshijë forcimin e Observatorit Kombëtar për Drogërat, krijimin e sistemit të paralajmërimit të hershëm dhe raportimin pranë EUDA-së”, theksoi ministri.
Klekovski nënvizoi se hapi i dytë i Agjendës së Reformave, i planifikuar për vitin e ardhshëm, ka të bëjë me harmonizimin e listës së substancave psikoaktive me atë të BE-së dhe përfshirjen në legjislacion të përkufizimit të “substancës së re psikoaktive”.
“Këto nuk janë thjesht detyrime administrative. Një sistem funksional i paralajmërimit të hershëm do të thotë se do të mund të zbulojmë në kohë substancat e reja të rrezikshme dhe të reagojmë më shpejt për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve”, thekson ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.






































