Një organizatë e trafikut ndërkombëtar të drogës, e përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë, është goditur nga autoritetet italiane gjatë operacionit të koduar “Caveau 38”.
Hetimet e Guardia di Finanza në Lecco zbuluan një rrjet që dyshohet se transportonte dhe shpërndante sasi të mëdha droge mes Shqipërisë, Holandës, Gjermanisë dhe Italisë.
Hetimi nisi pas kontrolleve ndaj një grupi që shpërndante lëndë narkotike në parqet publike të Cernusco Lombardone dhe Merate. Verifikimet e mëtejshme zbuluan një strukturë më të gjerë të trafikimit ndërkombëtar.
Në kuadër të operacionit janë vënë nën hetim 52 persona, ndërsa gjashtë janë arrestuar në flagrancë. Autoritetet kanë sekuestruar rreth 32 kilogramë kokainë, heroinë dhe marihuanë, si dhe 1.5 milionë euro para të gatshme.
Gjatë kontrolleve u zbuluan gjithashtu tetë kilogramë lingota ari të shkrirë në impiantet e dy kompanive të përpunimit të metaleve të çmuara në Milano dhe Alessandria.
Sipas hetimeve, gjatë periudhës 2019-2022, në Italinë e Veriut dyshohet se janë transportuar të paktën 250 kilogramë kokainë. Në drejtim të kundërt, drejt Shqipërisë, dyshohet se janë transferuar rreth 14 milionë euro të përfituara nga aktiviteti kriminal.
Një nga bazat e grupit ndodhej në një banesë në Burago Molgora, ku mbaheshin paratë përpara transportimit drejt Shqipërisë. Nga numri 38 i adresës së kësaj banese mori emrin edhe operacioni “Caveau 38”.
Droga dhe paratë dyshohet se transportoheshin në ndarje të posaçme të automjeteve dhe kamionëve. Anëtarët përdornin gjithashtu kode, simbole dhe kartëmonedha të shënuara.
Hetimi u koordinua nga Prokuroria Antimafia e Milanos, me përfshirjen e strukturave italiane dhe hetuesve të SPAK-ut në Tiranë.
