Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka propozuar krijimin e një koalicioni qytetar-politik, të thirrur nga studentët, pedagogët dhe protestuesit, si një front të përbashkët kundër qeverisë së Edi Ramës. Ai kërkoi gjithashtu që opozita të dalë me kandidatë të përbashkët në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Gjatë fjalës në Asamblenë Kombëtare të Partisë Republikane, Mediu e cilësoi protestën e të rinjve si shpresë për ndryshimin e vendit dhe bëri thirrje për bashkimin e forcave politike dhe qytetare. Sipas propozimit të tij, koalicioni nuk duhet të krijohet me nismën e partive, por të thirret nga vetë protestuesit, studentët dhe pedagogët, pa përjashtim politik.
“Ndërtimi i një koalicioni qytetar-politik të thirrur nga protestuesit, studentët, pedagogët, pa asnjë përjashtim politik, si një front i qartë kundër korrupsionit, dhunës, pabarazisë dhe qeverisë së Edi Ramës dhe me një qëllim thelbësor: zgjedhje të lira dhe të ndershme”, u shpreh Mediu.
Ai paraqiti gjashtë kërkesa që, sipas tij, duhet të përbëjnë bazën e këtij bashkëpunimi: dorëheqjen e Edi Ramës, krijimin e një qeverie kujdestare me mandat për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, reformën zgjedhore me lista të hapura, reformën administrativo-territoriale për garantimin e autonomisë vendore, kufizimin e mandatit të kryeministrit në dy mandate dhe daljen me kandidatë të përbashkët në zgjedhjet lokale.
Kreu i republikanëve u ndal edhe te reforma zgjedhore, duke theksuar se opozita nuk duhet të bëhet, sipas tij, pjesë e një procesi që i shërben agjendës së Partisë Socialiste. Ai kërkoi që prioritet të jenë ndarja e shtetit nga krimi dhe garantimi i listave të hapura.
“Ne nuk mund të diskutojmë reformën zgjedhore pa zgjidhur së pari dy elementë të rëndësishëm që duhet të jenë prioriteti i kësaj reforme zgjedhore. E para, ndarja e shtetit nga krimi. E dyta, listat e hapura”, deklaroi Mediu.
Duke iu referuar zgjedhjeve vendore, ai propozoi që kandidatët e përbashkët të përzgjidhen përmes sondazheve të realizuara nga grupe profesionistësh ose institute të njohura. Sipas tij, propozime për kandidatura duhet të mund të paraqesin si partitë opozitare, ashtu edhe përfaqësuesit e protestës dhe Frontit Rinor.
“Ne të përcaktojmë një kandidat, një ekip dhe ta mbështesim të gjithë politikisht dhe gjithë shoqëria shqiptare”, u shpreh ai.
Në fjalën e tij, Mediu kritikoi gjithashtu qeverisjen e Edi Ramës, duke ngritur akuza për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar. Ai foli edhe për shpopullimin, rënien e lindshmërisë dhe plakjen e popullsisë, të cilat i cilësoi si probleme me pasoja të rënda sociale dhe ekonomike.
Kryetari i PR-së tha se familja, prona dhe kombi duhet të jenë në qendër të programit të partisë, ndërsa bashkëpunimi politik dhe qytetar duhet të synojë rikthimin e besimit te institucionet dhe krijimin e kushteve që shqiptarët të ndërtojnë të ardhmen në vend.