Kirurgu i shpëtoi jetën policit të plagosur në sulmin me armë në Poloni

Njëri nga dy kirurgët që ndërhynë për të shpëtuar të plagosurit pas të shtënave masive në Krakov të Polonisë, ka deklaruar se kolegu i tij ia shpëtoi jetën një polici të plagosur rëndë, duke ia ndalur gjakderdhjen.

Profesori Michal Pędziwiatr dhe doktori Mateusz Wierdak ndodheshin duke drekuar me familjet e tyre në qendër të Krakovit, kur dëgjuan të shtëna armësh, raportojnë mediat lokale.

Pędziwiatr ka treguar për mediumin “Fakt” se ishte djali i tij ai që i njoftoi për atë që po ndodhte.

“Papritur, djali im vrapoi drejt meje dhe tha: ‘Babi, po qëllojnë mbi njerëzit atje, njerëzit po bien përtokë’”, ka rrëfyer ai.

Sapo mbërritën në vendin e ngjarjes, dy kirurgët filluan t’u ofronin ndihmë si personave të plagosur, ashtu edhe policëve dhe personit të dyshuar për sulmin.

“Kur bëhet fjalë për shpëtimin e jetëve, nuk ka rëndësi se kush është kush”, ka thënë Pędziwiatr.

Sipas raportimeve, nga incidenti i së shtunës në sheshin e tregut në Krakov mbetën të vrarë gjashtë persona, ndërsa 16 të tjerë u plagosën. Në mesin e të plagosurve ishin edhe dy policët, Jakub Kulik dhe Artur Morański.

Pas përfundimit të të shtënave, Pędziwiatr u kujdes për viktimat e tjera dhe personin e dyshuar për sulmin, i cili gjithashtu kishte nevojë për ndihmë. Ndërkohë, kolegu i tij, Wierdak, iu përkushtua policit që ishte qëlluar në gjoks gjatë shkëmbimit të zjarrit.

Pędziwiatr ka treguar se kolegu i tij veproi menjëherë për t’ia ndalur gjakderdhjen policit.

“Ai, për ta thënë në mënyrë më të thjeshtë, ia futi të gjitha fashat në kraharor dhe i futi duart brenda”, ka rrëfyer kirurgu.

Ai ka thënë se ndërhyrja e kolegut të tij ishte vendimtare për mbijetesën e policit.

“Po të mos kishte vepruar kështu, nuk e di se si do të kishte përfunduar gjithçka, pasi ambulanca vonoi shumë të mbërrinte”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë, Pędziwiatr ka kontaktuar edhe me Spitalin “Gjon Pali II”, ku ndodhet Departamenti i Kirurgjisë Torakale dhe Kardiake. Ai ka këmbëngulur që polici të dërgohej në këtë spital, pasi, sipas tij, aty kishte shanset më të mira për të mbijetuar, falë specialistëve që trajtojnë pikërisht lëndime të tilla.

Sipas mediave lokale, Wierdak është kirurg i njohur në Krakov, ndërsa Universiteti Spitalor i Krakovit bën të ditur se Pędziwiatr është udhëheqës i Departamentit të Kirurgjisë së Përgjithshme, Onkologjike, Metabolike dhe Emergjente.

Nga gjashtë personat e vrarë, katër ishin gra dhe dy burra. Në mesin e tyre ishin katër shtetas polakë, një shtetas britanik, si dhe një person tjetër, shtetësia e të cilit ende nuk është bërë e ditur.

Ndërkohë, Prokuroria Kombëtare e Polonisë ka nisur hetimet për sulmin. Hetimet do të udhëhiqen nga një njësi e specializuar për veprat penale të terrorizmit.

Shija e redaktorit

Presidenti kroat pritet ta vizitojë Kosovën në fillim të dhjetorit

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, pritet ta vizitojë Kosovën në fillim të muajit dhjetor të këtij viti. Kështu ka mësuar Dukagjini nga burimet e veta...

Nufi: Shqipëria do ta mbrojë Kosovën, asnjë qeveri në Tiranë...

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, ka deklaruar se angazhimi i Shqipërisë për mbrojtjen e Kosovës është i pakushtëzuar, duke theksuar se asnjë...

Përkujtohet ditëlindja e heroit të Kosovës, Zahir Pajaziti

Sot shënohet 64-vjetori i lindjes së komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe heroit të Kosovës, Zahir Pajaziti. Ai u lind më 1 nëntor 1962...

Të fundit nga rubrika