Dhoma me lojëra për të rritur, nuditet dhe rregulla të rrepta. Brenda anijes me të çuditshme në botë, aplikuesit duhet të pranojnë disa kushte

08/11/2026 16:39

Një prej kroçerave më të pazakonta në botë pritet të nisë udhëtimin më 9 nëntor nga PortMiami, në Florida të SHBA-së, me destinacion Karaibet.

Bëhet fjalë për kroçerën Wonderland, e cila do të zhvillohet në bordin e anijes luksoze Wonder of the Seas, në pronësi të kompanisë Royal Caribbean. Organizatorët konfirmojnë se në këtë udhëtim do të marrin pjesë 5 802 pasagjerë, të gjithë mbi moshën 21 vjeç.

Udhëtimi organizohet nga Bliss Cruise dhe konsiderohet një prej grumbullimeve më të mëdha të komunitetit të njohur si “lifestyle”, term që përdoret për të përshkruar marrëdhëniet jo-monogame me pëlqimin e të gjithë partnerëve, përfshirë shkëmbimin e çifteve dhe marrëdhëniet e hapura.

Gjatë shtatë ditëve të udhëtimit, pasagjerët do të kenë në dispozicion një program të veçantë aktivitetesh, me festa tematike, takime sociale, seminare dhe ambiente të dedikuara për aktivitete intime. Solariumi i anijes, me një sipërfaqe prej rreth 3 250 metrash katrorë, si dhe qendra e konferencave do të transformohen në ambiente të posaçme për të rriturit.

Në program përfshihen gjithashtu festa me veshje tematike, aktivitete BDSM dhe hapësira ku lejohet nudizmi, sipas rregullave të organizatorëve. Pavarësisht natyrës së veçantë të këtij udhëtimi, organizatorët kanë vendosur rregulla strikte për të gjithë pjesëmarrësit.

Parimi kryesor është pëlqimi i ndërsjellë, çdo refuzim duhet respektuar dhe çdo aktivitet duhet të zhvillohet vetëm me miratimin e personave të përfshirë. Aktivitetet intime lejohen vetëm në kabinat private ose në ambientet e përcaktuara posaçërisht. Ndërsa nudizmi lejohet vetëm në zona të caktuara të anijes.

Gjatë ndalesave në porte, pasagjerët duhet të respektojnë plotësisht ligjet dhe rregullat lokale. Kushdo që shkel rregullat e përcaktuara nga organizatorët rrezikon të përjashtohet nga kroçera në portin e ardhshëm.

Sipas CNN, kroçerat e këtij lloji po fitojnë gjithnjë e më shumë popullaritet, ndërsa organizatorët po kalojnë nga anijet më të vogla drejt mjeteve gjigante turistike. Rreth 87 për qind e rezervimeve për Wonderland vijnë nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa pjesa tjetër nga Kanadaja dhe vende të tjera. Në bord pritet të jenë përfaqësues të 47 kombësive.

Më shumë se gjysma e pjesëmarrësve janë të moshës 45 deri në 59 vjeç. Çmimet e kabinave për rezervimet e bëra në dhjetor 2024 varionin nga 1 630 dollarë për person për kabinat e brendshme, deri në më shumë se 21 mijë dollarë për person për suitën luksoze Royal Loft.

Organizatorët thonë se synimi nuk është krijimi i një ambienti pa kufizime, por ofrimi i një përvoje turistike për të rriturit, ku respektimi, siguria dhe pëlqimi i ndërsjellë janë parimet kryesore.

Top Channel