E diel, 8 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Të rinjtë kërkojnë largimin e tyre, PS-PD rikthejnë pazaret për Reformën Zgjedhore
Lajme

Të rinjtë kërkojnë largimin e tyre, PS-PD rikthejnë pazaret për Reformën Zgjedhore

Në një klimë të tensionuar politike, ku të rinjtë po protestojnë kundër klasës tradicionale dhe kërkojnë ndryshim të drejtimit politik të vendit, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike po përgatiten të ulen sërish në tryezën e negociatave për Reformën Zgjedhore. Dy forcat që kanë dominuar politikën shqiptare prej më shumë se tri dekadash do të diskutojnë rregullat mbi të cilat do të zhvillohen zgjedhjet e ardhshme.

Pas një periudhe të gjatë ndërprerjeje, Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore pritet të rifillojë punën të hënën, më 9 nëntor. Rikthimi i tij në aktivitet vjen në prag të zgjedhjeve vendore të 9 majit 2027, ku qytetarët do të votojnë për kryetarët e bashkive dhe përbërjen e këshillave bashkiakë.

Një prej çështjeve kryesore që do të trajtohet lidhet me përshtatjen e legjislacionit zgjedhor me ndryshimet në organizimin territorial dhe vetëqeverisjen vendore. Megjithatë, diskutimet pritet të shtrihen edhe mbi problematikat më të gjera të sistemit zgjedhor dhe mënyrën e përfaqësimit politik.

Kontrasti mes zhvillimeve në rrugë dhe negociatave në tryezë është i dukshëm. Ndërsa studentët dhe të rinjtë kërkojnë largimin e kastës së vjetër politike, PS dhe PD vijojnë të mbeten protagonistet kryesore të procesit që synon të përcaktojë mënyrën se si do të zhvillohet gara elektorale në vend.

Listat e hapura, një nga përplasjet kryesore

Një nga temat që pritet të prodhojë debat është mënyra e përzgjedhjes së anëtarëve të këshillave bashkiakë. Partia Demokratike kërkon lista plotësisht të hapura, duke synuar që votuesit të kenë mundësi të shprehin drejtpërdrejt preferencën për kandidatët dhe jo të jenë të kufizuar nga renditja e përcaktuar paraprakisht prej drejtuesve partiakë.

Bashkëkryetari demokrat i komisionit, Oerd Bylykbashi, ka bërë të ditur se opozita synon një sistem të ri që garanton përfaqësim proporcional të forcave politike në nivel kombëtar. Sipas qëndrimit të PD-së, parimi i listave të hapura duhet të shtrihet edhe te zgjedhjet për këshillat bashkiakë, duke zëvendësuar modelin aktual të listave të mbyllura.

Nga ana tjetër, Partia Socialiste ende nuk ka bërë publike një propozim konkret për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Përfaqësues të mazhorancës kanë lënë të kuptohet se procesi mund të vijojë edhe pa një marrëveshje me opozitën, nëse palët nuk arrijnë të gjejnë gjuhën e përbashkët.

Brukseli kërkon reformë gjithëpërfshirëse

Ndryshimet në legjislacionin zgjedhor janë kërkuar vazhdimisht edhe nga institucionet ndërkombëtare. Në raportin e fundit të progresit për Shqipërinë, Komisioni Evropian ka nënvizuar se një sërë rekomandimesh të OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias ende nuk janë zbatuar.

Brukseli kërkon që reforma të jetë gjithëpërfshirëse dhe të përmbyllet përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2027. Në këtë proces, sipas rekomandimeve, duhet të trajtohen problematikat e evidentuara në zgjedhjet e mëparshme dhe të sigurohet përfshirja e aktorëve të tjerë politikë, përtej dy partive kryesore.

Afati drejt fundit, shumë çështje ende të pazgjidhura

Pavarësisht rëndësisë së procesit, koha në dispozicion është e kufizuar. Mandati i Komisionit të Posaçëm përfundon në fund të nëntorit dhe mazhoranca ka sinjalizuar se nuk ka ndërmend të propozojë një tjetër zgjatje të afatit.

Komisioni, i ngritur në nëntor të vitit të kaluar, deri tani ka arritur të hartojë vetëm një projektligj të posaçëm për financimin e partive politike. Ndërkohë, çështjet më të rëndësishme që lidhen me sistemin zgjedhor dhe mënyrën e organizimit të garës politike mbeten ende pa zgjidhje.

Kështu, PS dhe PD rikthehen në tryezë për të negociuar rregullat e zgjedhjeve të ardhshme, në një moment kur kërkesat për ndryshim të klasës politike po bëhen gjithnjë e më të forta në rrugë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.