Kategoria e Parë: Iliria nuk di të ndalet. Bylis bën detyrën në shtëpi. Flamurtari mjaftohet me një pikë ndaj Korabit

8 Nëntor 2026
17:35
Telesport
back button

Java e 10-të e Kategorisë së Parë u mbyll me sfidën e zhvilluar në Peshkopi mes Korabit dhe Flamurtarit, që përfundoi në barazim pa gola. Kjo ishte e vetmja përballje e kësaj jave që u mbyll me rrjeta të paprekura.

Një ditë më parë u zhvilluan pesë takimet e tjera, me Ilirinë që vijon të bëjë mirë dhe të ruajë kreun e renditjes. Skuadra e drejtuar nga Dritan Smajlaj triumfoi minimalisht në shtëpi ndaj Orikut të vendit të fundit. Goli i Darnell në pjesën e parë vulosi fatin e takimit. Iliria kryeson me 21 pikë pas dhjetë ndeshjesh.

Besa humbi ritmin e kryesuesve, pasi kavajasit u ndalën në një barazim 1-1 ndaj Burrelit në shtëpi. Miqtë kaluan të parët në avantazh me Xhabrahimin, ndërsa Spahiu riktheu baraspeshën me anë të një 11-metërshi.

Bylisi mori gjithashtu maksimumin e pikëve në përballjen ndaj Kastriotit, duke triumfuar me rezultatin 2-1. Ballshiotët gjetën rrugën e rrjetës me Rieuwai dhe Markun, duke siguruar tri pikë të rëndësishme. Për Kastriotin shënoi Hoxha.

Rikthehet te fitorja edhe Kukësi, që në shtëpi mposhti Sopotit me rezultatin 2-0, duke vijuar të qëndrojë në pjesën e sipërme të renditjes. Silva dhe Bespalla ishin autorët e golave për verilindorët, të cilët kanë grumbulluar 18 pikë, po aq sa Bylisi dhe Besa.

Ndërkohë, Pogradeci arriti të marrë tri pikë të rëndësishme ndaj Besëlidhjes, një kundërshtar direkt në garën për kreun e renditjes. Godswill shënoi golin e vetëm të takimit në pjesën e dytë, duke ngjitur skuadrën liqenore në kuotën e 17 pikëve, ndërsa lezhianët mbeten me 14 pikë. Mes tyre pozicionohet Flamurtari me 16 pikë.

Pas dhjetë javësh kampionat, renditja vijon me Korabin në vendin e gjashtë me 12 pikë, Kastriotin me 11 pikë, Burrelin dhe Sopotit me nga 7 pikë, ndërsa Oriku mbyll klasifikimin me 2 pikë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit