Protestuesit nuk i ndal as shiu, zbarkojnë sërish para kryeministrisë
As reshjet e shiut nuk i kanë ndalur studentët dhe qytetarët, të cilët janë rikthyer pasditen e kësaj të diele përpara Kryeministrisë, duke vijuar protestën kundër qeverisë së Edi Ramës.
Grumbullimi nisi rreth orës 18:30, ndërsa të pranishmit përsëritën kërkesën për largimin e kryeministrit. Tubimi vjen vetëm 24 orë pas protestës kombëtare të së shtunës, e cila u shoqërua me përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë.
Këtë herë, mesazhi i protestuesve nuk drejtohet vetëm kundër qeverisë aktuale. Studentët dhe të rinjtë kundërshtojnë rikthimin e figurave të vjetra politike, duke vendosur në të njëjtin qëndrim kundërshtues si Edi Ramën, ashtu edhe Sali Berishën.
Në qendër të kërkesave mbetet largimi i kryeministrit, ndërsa studentët kanë refuzuar thirrjet e tij për dialog. Ata e akuzojnë Ramën për korrupsion dhe për përdorimin e policisë ndaj qytetarëve gjatë protestave.
Për studentët, bisedimet me kreun e qeverisë nuk përbëjnë një alternativë për sa kohë kërkesa kryesore e tyre mbetet dorëheqja e tij. Kështu, protesta vijon edhe këtë mbrëmje përpara godinës së Kryeministrisë, pavarësisht kushteve të motit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



