TikTok rrezikon një gjobë të rëndë nga Bashkimi Evropian. Në qendër të përplasjes është algoritmi që u sugjeron përdoruesve video pa fund dhe që, sipas Komisionit Evropian, mund të dëmtojë shëndetin mendor, veçanërisht të fëmijëve dhe të rinjve. Brukseli akuzon platformën se nuk ka marrë masa të mjaftueshme për të mbrojtur përdoruesit nga përmbajtjet që mund të shkaktojnë varësi, ankth dhe të përkeqësojnë çrregullimet e të ngrënit. Sipas rezultateve paraprake të hetimit të Komisionit Evropian, problemi kryesor lidhet me faqen “For You”, ku TikTok shfaq video të personalizuara sipas interesave dhe sjelljes së secilit përdorues. Algoritmi analizon çfarë shikojnë njerëzit, sa kohë qëndrojnë te një video dhe cilat përmbajtje tërheqin më shumë vëmendjen e tyre. Më pas, u sugjeron vazhdimisht video të ngjashme, duke i nxitur të kalojnë gjithnjë e më shumë kohë në aplikacion. Ky fenomen njihet si efekti “Rabbit Hole”, ose zhytja në një spirale informacioni nga e cila është e vështirë të shkëputesh. Për shembull, nëse një përdorues shikon disa video për trishtimin, vetminë apo pamjen fizike, algoritmi mund t'i sugjerojë gjithnjë e më shumë përmbajtje të ngjashme. Sipas Komisionit Evropian, ekspozimi i vazhdueshëm ndaj këtyre videove mund të përforcojë problemet psikologjike dhe të ndikojë negativisht në mirëqenien mendore. Rreziku konsiderohet veçanërisht i lartë për fëmijët, adoleshentët dhe personat që përballen me vështirësi emocionale. Brukseli vlerëson se masat mbrojtëse të TikTok-ut nuk janë të mjaftueshme. Madje, sipas Komisionit, as butoni “Nuk jam i interesuar” nuk arrin të ndryshojë në mënyrë efektive rekomandimet që u shfaqen përdoruesve. Për këtë arsye, autoritetet evropiane kërkojnë ndryshime në mënyrën se si funksionon algoritmi. Një nga kërkesat kryesore është që TikTok të mos mbështetet kaq shumë te koha që përdoruesit kalojnë duke parë një video. Komisioni kërkon gjithashtu që njerëzit të kenë më shumë kontroll mbi përmbajtjet që u shfaqen. Kjo do të thotë që përdoruesit duhet të kenë mundësi të zgjedhin më qartë temat që duan të ndjekin, në vend që të drejtohen kryesisht nga sugjerimet automatike të platformës. Qëllimi është të kufizohet ekspozimi i vazhdueshëm ndaj përmbajtjeve që mund të ndikojnë negativisht në shëndetin mendor.