Qentë dhe macet po bëhen pjesë e një tradite shekullore në Japoni, e cila deri më tani u kushtohej fëmijëve. Të veshura me kimono shumëngjyrëshe, kafshët shtëpiake po dërgohen në faltore për të marrë bekimin për shëndet dhe jetëgjatësi. Pamjet e pazakonta vijnë nga një faltore Shinto në Tokio, ku pronarët kanë sjellë kafshët e tyre për të marrë pjesë në festivalin tradicional “Shichi-Go-San”. Kjo festë, emri i së cilës do të thotë “Shtatë-Pesë-Tre”, organizohet prej shekujsh për fëmijët e moshës 3, 5 dhe 7 vjeç. Gjatë saj, familjet luten që fëmijët të rriten të shëndetshëm dhe të kenë një jetë të gjatë. Por tani, të njëjtin ritual po e ndjekin edhe pronarët e qenve dhe maceve. Gjatë ceremonisë, prifti Kenji Kaji kreu lutjet tradicionale dhe ritualin e pastrimit. Ai përdori një shkop ceremonial me shirita të bardhë letre, duke kërkuar shëndet dhe jetëgjatësi për kafshët.