450,000€ tek vëllai i shefes së SHISH, si Gys Agasi pastronte tek Vlora Hyseni milionat që merrte nga AKSHI i Linda Karçanaj

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 08.11.2026, 19:53

Zbardhja e hetimeve të SPAK ndaj ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, tregon se çështja nuk kufizohet vetëm tek akuzat për nxjerrje të sekreteve shtetërore, por përfshin gjithashtu pista të gjera financiare dhe ndërkombëtare.

Sipas burimeve të SPAK, hetuesit kanë dërguar letërporosi zyrtare në Gjermani dhe Kosovë. Këto lëvizje vijnë pasi Prokuroria e Posaçme dyshon se vëllai i Vlora Hysenit, i cili dyshohet se përdor një identitet tjetër, ka kryer transferta të dyshimta financiare, të cilat po kalojnë në sitën e verifikimeve.

Në qendër të hetimeve është zbulimi i një transferte prej 450 mijë eurosh nga shoqëria “Fortis Beton” sh.p.k., e Orest Sotës e cila u anulua më 27 shkurt 2024. Pagesa ishte kryer një ditë më parë, më 26 shkurt 2024, me përshkrimin “pagesë për kontratë huaje” dhe kishte si destinacion kompaninë gjermane “Erd & Tiefbau Dingler GmbH”.

Hetimet kanë zbuluar se drejtuesi i kësaj kompanie gjermane është Izet Dingler, vëllai i Vlora Hysenit. Për të sqaruar këto marrëdhënie dhe lidhjet e “Fortis Beton” (kompani e përfshirë në dosjen e AKSHI-t) me subjektet gjermane, janë marrë në pyetje Ardit Sota dhe Genci Shima. Ata kanë deklaruar para hetuesve se nuk kanë asnjë dijeni për punimet dhe se nuk i njohin përfaqësuesit e kompanive gjermane.

SPAK parashtron dyshime të arsyeshme se Ergys Agasi ka kaluar fondet e AKSHI-t duke i pastruar me ish-kreun e SHISH-it, Vlora Hyseni.

Sipas organit të akuzës, fakti që transferta prej 450 mijë eurosh u anulua më 27 shkurt 2024 nuk e përjashton dyshimin se ka pasur një pakt për premtim dhe pranim të përfitimeve të parregullta nga ana e ish-drejtoreshës, në këmbim të dhënies së informacioneve sekrete të institucionit ndaj Agasit.

Prokuroria beson se e gjithë kjo skemë është përdorur nga personat nën hetim për të fshehur origjinën kriminale të të ardhurave nga korrupsioni dhe për të mbuluar përfitimet e paligjshme të nxjerra nga prokurimet publike të AKSHI-t.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit