“Kam vendosur me zemër” - Enis Rexhepi zbarkon në Kosovë

Sulmuesi i ri i Kosovës, Enis Rexhepi, ka zbarkuar në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë, ku është mirëpritur nga presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.
Futbollisti i Stuttgartit do t’i bashkohet Përfaqësueses së Kosovës, ndërsa pas mbërritjes ka dhënë edhe deklaratat e para për faqen zyrtare të FFK-së, duke treguar arsyet që e kanë shtyrë të zgjedhë fanellën dardane.
Rexhepi ka thënë se vendimi për të përfaqësuar Kosovën ka qenë i lehtë dhe se këtë zgjedhje e ka bërë me zemër.
“Ka qenë shumë lehtë të vendos për Kosovën. Kam vendosur me zemër”, ka deklaruar sulmuesi.
Ai ka përmendur edhe praninë e futbollistëve të tjerë shqiptarë në Bundesligë, si dhe projektin e Përfaqësueses së Kosovës, si faktorë që kanë ndikuar në vendimin e tij.
“I kam edhe shokët që luajnë në Bundesligë në Gjermani dhe projekti këtu po më pëlqen shumë”, ka shtuar Rexhepi.
Në fund, sulmuesi i ri ka folur edhe për konkurrencën në repartin ofensiv, duke theksuar se e njeh cilësinë e lojtarëve që ka Kosova, por se synon të japë maksimumin për të fituar një vend në formacionin titullar.
“Kosova ka shumë lojtarë të mirë, por unë do ta jap maksimumin që të jem titullar”, ka përfunduar Enis Rexhepi. /Telegrafi/











































