Gadi Eisenkot ka marrë zyrtarisht mandatin për formimin e qeverisë së re të Izraelit. Presidenti Isaac Herzog i dorëzoi mandatin këtë të diel, gjatë një ceremonie në rezidencën presidenciale, ndërsa opozita vijon negociatat për të siguruar shumicën parlamentare që do t'i jepte fund qeverisjes së Benjamin Netanyahut. Drejtuesi i partisë Yashar do të ketë 28 ditë kohë për të formuar kabinetin e ri, me mundësinë e një shtyrjeje prej 14 ditësh të tjera nga presidenti, nëse do të jetë e nevojshme. Gjatë ceremonisë, Eisenkot bëri thirrje për një qeveri që të përfaqësojë të gjithë qytetarët izraelitë, pas asaj që ai i cilësoi si vite të vështira për vendin. “Pas viteve të vështira që kemi kaluar, këtë herë duhet t'i bëjmë gjërat ndryshe. Këtë herë duhet të jetë për të mirën e të gjithë izraelitëve. Ditët kur qytetarët ndiheshin të përjashtuar nga qeveria e tyre duhet të marrin fund dhe të mos kthehen më”, deklaroi ai.