E diel, 8 Nëntor 2026 Film TV deri në 23:00 Në vijim ora 23:00: Lajmet e Fundit dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Ekonomi

Intesa Sanpaolo punëdhënësi më i mirë. Çfarë kërkon brezi i ri nga eprori?

Për dy vite rresh banka Intesa Sanpaolo Bank Albania çertifikohet si punëdhënësi më i mirë. Ky vlerësim merr në konsideratë një sërë elementesh që banka ofron për punonjësit e saj

“Top employer nuk është thjesht një çmim. Është një certifikim i pavarur, i cili vjen pas një procesi të gjatë dhe rigoroz vlerësimi të politikave dhe praktikave të burimeve njerëzore, sipas standardeve të njohura ndërkombëtare. Ajo që është veçanërisht e rëndësishme është se ky vlerësim nuk ndalet vetëm te politikat që një organizatë ka përcaktuar, por analizon mënyrën se si ato përkthehen në praktika konkrete: nga strategjia e njerëzve, rekrutimi dhe zhvillimi profesional, te mirëqenia, përfshirja, kultura organizative dhe mjedisi i punës. Rikonfirmimi si top employer për të dytin vit radhazi është për ne dëshmi e një angazhimi afatgjatë për t’i vendosur njerëzit në qendër dhe për të krijuar një mjedis ku ata ndihen të respektuar, të dëgjuar dhe të mbështetur për të zhvilluar potencialin e tyre”, sqaroi Suela Totokoçi, Drejtore e Departamentit të Burimeve Njerëzore dhe Organizimit në Intesa Sanpaolo Bank gjatë një interviste në Vizion Plus.

Por, teksa sot sfidat e tregut të punës janë gjetja e punonjësve të kualifikuar, po kaq sfiduese është edhe mbajtja e tyre në këtë industri.

Për Suela Totokoçi sfida nuk është plotësimi nevojave, sfidë është t’i paraprish atyre.

Reklamë

“Një nga sfidat më të mëdha sot është konkurrenca për talentet. Organizatat nuk konkurrojnë më vetëm për klientët dhe tregun, por edhe për të tërhequr dhe mbajtur njerëzit më të mirë. Në të njëjtën kohë, po shohim një brez të ri profesionistësh me pritshmëri të ndryshme. Për ta, një pagë konkurruese mbetet e rëndësishme, por nuk është më elementi i vetëm. Ata kërkojnë mundësi zhvillimi, fleksibilitet, balancë mes jetës profesionale dhe asaj personale, një punë me kuptim dhe një kulturë ku mund të shprehin idetë dhe potencialin e tyre. Ajo çfarë nuk shoh tek ky brez është që janë shkurtuar afatet e ecurisë në punë. Duan të ngjiten sa më lartë në një kohë shumë të shkurtër”, sqaroi Totokoçi.

Suela Totokoçi ka dhe një mesazh për të rinjtë.

“Do t’i inkurajoja të rinjtë të jenë kuriozë, të guximshëm dhe të investojnë vazhdimisht në zhvillimin e tyre. Karriera nuk është gjithmonë një vijë e drejtë dhe kjo është diçka pozitive. Shpesh mundësitë më të rëndësishme vijnë pikërisht kur pranojmë një sfidë të re, mësojmë diçka ndryshe apo dalim nga zona jonë e rehatisë. Kërkoni organizata, që ju japin hapësirën për të mësuar, për t’u zhvilluar dhe për të kontribuar dhe mbi të gjitha, jini të hapur ndaj mundësive. Kur gjen një mjedis që të ndihmon të zhvillosh potencialin tënd dhe ku kontributi yt vlerësohet, edhe suksesi profesional bëhet pjesë e një rrugëtimi shumë më të natyrshëm”, u shpreh Totokoçi.

/vizionplus.tv

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.