Vendosni fjalën kyçe....

“Hakerat rusë po më sulmojnë pse mbështes Ukrainën” – Ministri italian


Ministri i Jashtëm italian thotë se është shënjestruar nga hakerë pro-rusë për shkak të mbështetjes ndaj Ukrainës. Kryeministrja italiane Giorgia Meloni, e cila ka qenë një nga mbështetëset më të forta të Ukrainës mes liderëve perëndimorë, shprehu mbështetjen e saj për Tajani-n dhe tha se shitja e informacioneve konfidenciale që lidhen me zyrtarët publikë ishte “një çështje që shkakton shqetësim serioz”.

Moska nuk ka komentuar mbi incidentin. Rusia ka mohuar vazhdimisht çdo përfshirje në sulme kibernetike apo operacione hakerimi jashtë vendit, shkruan Reuters.

Tajani, i cili është gjithashtu zëvendëskryeministër i Italisë, deklaroi në një postim në rrjetin social X se “mbështetja në mënyrë transparente e lirisë dhe pavarësisë së një shteti sovran” e kishte bërë atë shënjestër të sulmeve. Ai shtoi se hakerët po kërkonin informacione të mëtejshme për të dhe familjen e tij dhe ishin të gatshëm të paguanin për to.

Sulmet ishin gjithashtu një reagim ndaj përpjekjeve të Ministrisë së Jashtme për të forcuar sigurinë kibernetike, shtoi Tajani.

Pamjet e ekranit të siguruara nga Reuters tregonin fotografinë e Tajanit mes një liste me 18 “qytetarë armiqësorë ndaj Federatës Ruse”, ku përfshiheshin edhe ekspertë të sigurisë kibernetike.

Materiali u gjet në një seksion të rrjetit të errët (dark web), të aksesueshëm përmes rrjetit Tor, në kuadër të aktiviteteve monitoruese të kryera nga autoritetet e sigurisë kibernetike, i tha Reuters një person pranë ministrit.

Sipas tij, po kryhen hetime të mëtejshme.

Në një letër drejtuar ministrit të Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, Tajani u kërkoi vendeve të G7-ës që të përfshijnë luftën hibride dhe sulmet e fundit kibernetike ndaj infrastrukturës kritike në Evropë në agjendën e takimit të ministrave të Jashtëm të javës së ardhshme, si dhe të kërkojnë një përgjigje të koordinuar.