Muzetë e Krujës presin rreth 200 mijë vizitorë në vit
Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Muzeu Etnografik i Krujës vijojnë të mbeten ndër atraksionet më të rëndësishme të turizmit historik dhe kulturor në Shqipëri, duke tërhequr çdo vit mijëra vizitorë vendas dhe të huaj.
Kryeministri Edi Rama ndau pamje nga dy institucionet muzeale, duke theksuar interesin në rritje të turistëve për historinë dhe trashëgiminë kulturore të qytetit të Krujës.
“Muzeu i Krujës, ndër destinacionet më të frekuentuara të trashëgimisë sonë historike me 200 mijë vizitorë në vit”, u shpreh Rama.
I vendosur brenda mureve të Kalasë së Krujës, Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” është një nga muzetë më të vizituar në vend. I hapur në vitin 1982, ai është konceptuar në formën e një fortese mesjetare shqiptare dhe i kushtohet jetës, veprës dhe rezistencës së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Ndërkohë, Muzeu Etnografik i Krujës ofron një udhëtim të veçantë në historinë dhe traditat shqiptare. Muzeu ndodhet në ish-shtëpinë e familjes Toptani, një ndërtesë e tipit “çardak” e ndërtuar në vitin 1764, e cila është shpallur monument kulture i kategorisë së parë dhe pjesë e trashëgimisë kulturore kombëtare.
I hapur për publikun më 20 nëntor 1989, muzeu përbëhet nga 15 ambiente që pasqyrojnë mënyrën e jetesës së familjeve shqiptare ndër shekuj. Objektet e ekspozuara dëshmojnë zhvillimin e artizanatit, bujqësisë, blegtorisë dhe traditave të tjera popullore, duke ruajtur autentikitetin e kohës. Një pjesë e madhe e tyre vijojnë të jenë funksionale edhe sot.
Muzeu Etnografik konsiderohet unik në rajonin e Ballkanit për arkitekturën, organizimin e hapësirave dhe pasurinë e objekteve që ekspozon, duke u shndërruar në një nga ndalesat më të rëndësishme për turistët që vizitojnë Krujën.
Qyteti historik po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje jo vetëm për kalanë dhe muzetë e tij, por edhe për Pazarin Karakteristik, me rrugicat me kalldrëm dhe dyqanet e artizanatit tradicional.
Shtimi i kapaciteteve akomoduese ka bërë që vizitorët të qëndrojnë më gjatë në Krujë, duke e kthyer atë nga një destinacion njëditor në një nga pikat më të kërkuara të turizmit kulturor në Shqipëri.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.













