SHBA-ja i kërkon Irakut të mbyllë pikat kufitare me Iranin, thotë ministri i Jashtëm

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë kërkuar Irakut të ndërmarrë hapa për të kufizuar lidhjet ekonomike me Iranin, si pjesë e përpjekjeve të Washingtonit për të izoluar më tej ekonominë iraniane.
Ministri i Jashtëm i Irakut, Fuad Hussein, deklaroi në një intervistë për televizionin Al Jazeera se Departamenti amerikan i Thesarit i ka kërkuar Bagdadit të mbyllë pothuajse të gjitha pikat kufitare me Iranin, transmeton Telegrafi.
Sipas tij, kërkesa amerikane parasheh që të gjitha vendkalimet kufitare mes dy vendeve të mbyllen, me përjashtim të dy prej tyre. Njëra nga pikat që do të mbetet e hapur ndodhet në rajonin autonom të Kurdistanit të Irakut.
Hussein nuk dha më shumë hollësi rreth afatit të mundshëm për zbatimin e kësaj kërkese, por konfirmoi se Iraku po përballet me presion në kuadër të përpjekjeve amerikane për të dobësuar lidhjet ekonomike të Teheranit me vendet e rajonit.
Duke folur për situatën në Ngushticën e Hormuzit, ministri tha se marrëveshjet e arritura si me Washingtonin, ashtu edhe me Teheranin, i kanë mundësuar Irakut të vazhdojë transportimin e naftës përmes kësaj rruge strategjike detare.
Megjithatë, ai theksoi se ndërprerjet e shkaktuara nga bllokada në Ngushticën e Hormuzit kanë pasur pasoja të rënda për ekonominë irakiane. Sipas Husseinit, humbjet financiare të vendit si pasojë e këtyre pengesave kanë arritur në rreth 60 miliardë dollarë.
Ngushtica e Hormuzit është një nga korridoret më të rëndësishme të transportit të naftës në botë, ndërsa çdo ndërprerje e qarkullimit në këtë zonë ndikon drejtpërdrejt në eksportet energjetike dhe të ardhurat e vendeve që varen nga kjo rrugë. /Telegrafi/






































