Vendosni fjalën kyçe....

Memoja e Rubios paralajmëronte se partnerja e shefit të Nvidia-s ishte spiune kineze


Drejtuesi i Nvidia-s, Jensen Huang, kompania e të cilit prodhon çipat më të avancuar në botë për inteligjencën artificiale, ka pranuar se ka pasur një lidhje jashtëmartesore. Ky zhvillim vjen në mes të raportimeve se sekretari i Shtetit, Marco Rubio, kishte paralajmëruar disa muaj më parë se partnerja e tij ishte spiune kineze, shkruan NY Post.

Sipas përfundimeve të një memorandumi të hartuar nën mbikëqyrjen e Rubios, Alice Huang, një drejtuese në kompaninë Megaspeed, e cila kishte blerë çipa të inteligjencës artificiale nga Nvidia, ishte rekrutuar nga Ministria e Sigurisë Shtetërore e Kinës, agjencia e spiunazhit e Pekinit. Informacioni është bërë i ditur në një raportim të gazetës The New York Times.

Nuk dihet se sa kohë ka zgjatur lidhja mes Jensen dhe Alice Huang.

Administrata Biden kishte kufizuar shitjen e çipave më të avancuar të Nvidia-s drejt Kinës, në kuadër të garës për dominimin e inteligjencës artificiale. Megjithatë, drejtori ekzekutiv i kompanisë ushtroi presion ndaj administratës Trump për lehtësimin e këtyre kufizimeve.

Bordi drejtues i Nvidia-s njoftoi të dielën se kishte nisur një hetim për të përcaktuar nëse Jensen Huang kishte qenë “objektiv i një operacioni të inteligjencës së huaj”. Megjithatë, bordi theksoi se vijon të ketë “besim te Jensen dhe ekipi i tij drejtues”.

Edhe figura të tjera të njohura amerikane kanë qenë objekt i operacioneve të joshjes dhe rekrutimit të dyshuara si të organizuara nga agjentë kinezë. Mes tyre është edhe ish-deputeti amerikan Eric Swalwell (demokrat nga Kalifornia), i cili u përfshi në një lidhje me Christine Fang, e njohur gjithashtu si “Fang Fang”.