Monday / November 9 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Lajmet Kryesore Nga Vendi

Përfshirja e biznesit të vogël në TVSH me xhiron e 2026?! Sqarojnë ekspertët

Share Share Icon

Ekspertët fiskalë dhe audituesit ligjorë paralajmërojnë se ulja e pragut të patatueshëm për regjistrimin e biznesit të vogël në TVSh, do të sjellë rritje të kostove dhe nuk garanton uljen e informalitetit.

Por ekspertët ngrenë shqetësimin edhe për mënyrën e zbatimit të masës, nëse do të përfshihen automatikisht në skemën e TVSH-së bizneset që kanë realizuar mbi 5 milionë lekë xhiro gjatë vitit 2026, ku pragu ligjor në fuqi ishte 10 milionë lekë? Debati bëhet për mënyrën e zbatimit në kohë të pragut të ri dhe me faktin nëse do të merret në konsideratë vetëm qarkullimi i realizuar nga 1 janari 2027 e në vijim, apo edhe xhiroja e vitit paraardhës.

Konsulenti fiskal Artur Papajani tha për Monitor se mungesa e procedurave të qarta dhe e një dispozite kalimtare në aktin përkatës krijon hapësira për interpretime dhe pasiguri juridike te bizneset.

“Ekziston rreziku që, nga data 1 janar 2027, të regjistrohet në TVSH çdo person që ka realizuar një qarkullim mbi 5 milionë lekë gjatë vitit 2026.

Sipas ligjit të TVSH-së, personi, qarkullimi i të cilit gjatë muajve të njëpasnjëshëm tejkalon kufirin minimal të regjistrimit, është i detyruar të kërkojë regjistrimin në TVSH brenda 15 ditëve nga data e kalimit të këtij kufiri. Deri më 31.12.2026, kufiri minimal ka qenë 10 milionë lekë, ndërsa nga data 1 janar 2027, kufiri minimal është 5 milionë lekë.

Data e hyrjes në zbatim të kufirit të ri nuk përcakton edhe regjistrimin automatik të personave që e kanë tejkaluar këtë shumë gjatë vitit 2026, pasi kufiri minimal ka qenë tjetër në vitin 2026 dhe tjetër është në vitin 2027.

Nga ana tjetër, në aktin administrativ nuk rezulton të ketë një dispozitë kalimtare që të kërkojë shprehimisht regjistrimin, më 1 janar 2027, të gjithë personave që kanë realizuar një qarkullim mbi 5 milionë lekë gjatë vitit 2026.

Mbi bazën ligjore në fuqi, regjistrimi në TVSH bëhet i detyrueshëm për bizneset që tejkalojnë qarkullimin prej 5 milionë lekësh përgjatë vitit 2027. Kjo nuk është thjesht një përshtatje teknike. Është një ndryshim thelbësor i politikës fiskale, që mund të përfshijë në regjimin e TVSH-së një numër të konsiderueshëm biznesesh të vogla.

Për ta justifikuar këtë ndryshim, qeveria nuk arriti të paraqesë një analizë ekonomike të numrit të bizneseve të prekura, të ardhurave shtesë të pritshme, të kostove të administrimit dhe të ndikimit te çmimet”, pohon Papajani.

Edhe audituesi ligjor Julian Saraçi ndan të njëjtin interpretim. Sipas tij, ulja e pragut të regjistrimit në TVSH nga 10 në 5 milionë lekë, me efekt nga 1 janari 2027, nuk sjell regjistrimin automatik të bizneseve që kanë realizuar xhiro mbi 5 milionë lekë gjatë vitit 2026. Detyrimi lind vetëm kur tejkalohet pragu i ri pas hyrjes së tij në fuqi dhe kërkesa duhet të paraqitet brenda 15 ditëve nga tejkalimi.

Në mungesë të një dispozite të shprehur kalimtare që parashikon efekt prapaveprues ose regjistrim automatik mbi bazën e xhiros së vitit 2026, sipas tij, administrata tatimore nuk mund ta vendosë këtë detyrim vetëm për shkak të tejkalimit të pragut të ri gjatë një periudhe kur ai nuk ishte ende në fuqi.

Për të argumentuar qëndrimin e tij, Saraçi i referohet nenit 122 të ligjit nr. 92/2014, sipas të cilit detyrimi për regjistrim lind kur qarkullimi tejkalon pragun minimal ligjor.

“Për pragun e regjistrimit në TVSH (nga 10 mln në 5 mln lekë) – VKM nr. 822, datë 28.10.2026, ka ndryshuar pragun minimal të regjistrimit në TVSH me efekt nga 1 janari 2027. Ky ndryshim nuk duhet të interpretohet si detyrim për regjistrimin automatik, më 1 janar 2027, të të gjithë personave që kanë realizuar xhiro mbi 5 mln lekë gjatë vitit 2026.

Sipas nenit 122 të ligjit nr. 92/2014, detyrimi për regjistrim lind kur qarkullimi tejkalon pragun minimal të regjistrimit dhe kërkesa për regjistrim duhet të paraqitet brenda 15 ditëve nga data e kalimit të tij. Për rrjedhojë, deri më 31 dhjetor 2026, pragu ligjor mbetet 10 mln lekë, ndërsa pragu i ri prej 5 mln lekësh duhet të zbatohet për periudhën që fillon më 1 janar 2027, duke u bazuar në qarkullimin sipas rregullave ligjore në fuqi nga kjo datë”, argumenton Saraçi.

Gjatë këtyre 30 viteve të ekonomisë së lirë të tregut pragu i patatueshëm për regjistrimin e bizneseve me TVSH ka ndryshuar 7 herë. Për të herë të parë pragu i patatueshëm për regjistrimin e biznesit me TVSH u vendos më ’96 në 2 milionë lekë dhe qëndroi në këto nivele deri më 31 janar ’98. Deri në 2021 niveli i pragut ndryshoi edhe pesë herë të tjera. Nga 1 janari 2021 deri më 31 dhjetor 2026, pragu u rrit në 10 milionë lekë. Së fundi, duke filluar nga 1 janari 2027, pragu propozohet të jetë 5 milionë lekë./D.Azo

 

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Ekskluzive, VIP-at e Ballkanit Perëndimor; renditja e kompanive më të mëdha në rajon

Për herë të parë, “Monitor” boton renditjen rajonale të 50-100 kompanive më të mëdha të Ballkanit Perëndimor, sipas të ardhurave. Serbia dominon me...

1 day më parë 19 Min Lexim

Ekonomia shqiptare pa prodhim, e varur nga ndërtimi; Kontrasti me Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë

Ekonomia shqiptare u rrit me 3.66% në vitin 2025, por zgjerimi u mbështet kryesisht nga ndihma e madhe nga shteti përmes pagave, ndërtimi, pasuritë...

1 day më parë 20 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!