Monday / November 9 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Lajmet Kryesore Nga Vendi

Ndryshimi i furnizuesit të energjisë, ERE gati projekt-rregulloren e re për procedurat dhe afatet

Share Share Icon

Klientët familjarë dhe bizneset do të mund të ndryshojnë furnizuesin e energjisë elektrike përmes një procedure elektronike, sipas projekt-rregullores së re që Enti Rregullator i Energjisë (ERE) ka nxjerrë për konsultim publik.

Dokumenti përcakton afatet, kushtet financiare dhe detyrimet e palëve për kalimin nga një furnizues te një tjetër, në zbatim të ligjit të ri për sektorin e energjisë elektrike.

Aktualisht, familjarët dhe bizneset që përfitojnë nga shërbimi universal në tension të ulët, 0.4 kV, furnizohen me çmime të rregulluara nga ERE. Ndërkohë, në tregun e lirë, ku klientët mund të zgjedhin furnizuesin, janë përfshirë gradualisht subjektet e liberalizuara në nivelet e tensionit 35 kV, 20 kV, 10 kV dhe 6 kV. Projekt-rregullorja nuk ndryshon kategoritë e klientëve që përfitojnë nga furnizimi me çmime të rregulluara.

Sipas dokumentit, kërkesat për ndryshimin e furnizuesit do të administrohen nëpërmjet platformave elektronike të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) dhe Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST), sipas rrjetit ku është lidhur klienti. Aplikimi mund të paraqitet nga vetë konsumatori ose nga furnizuesi i ri, me autorizimin e tij.

“Nuk kërkohet paraqitja e të njëjtit informacion në formë shkresore, kur ky informacion është regjistruar dhe verifikuar në platformë”, përcakton neni 6. Klientët do të ruajnë edhe mundësinë e aplikimit me shkrim.

Afati maksimal për ndryshimin e furnizuesit parashikohet të jetë tri javë nga paraqitja e kërkesës, në përputhje me ligjin nr. 59/2026. Rregullorja ekzistuese përcakton një afat prej 15 ditësh. Sipas projektit të ri, procesi teknik i ndryshimit nuk mund të zgjasë më shumë se 24 orë pasi të jenë plotësuar kushtet për realizimin e tij.

Për klientët familjarë dhe ndërmarrjet mikro dhe të vogla, ndryshimi i furnizuesit parashikohet të kryhet pa tarifa. Për klientët e tjerë mund të zbatohen tarifa për përfundimin e parakohshëm të kontratave me çmim fiks dhe afat të caktuar, vetëm sipas kushteve të përcaktuara në projekt.

“Tarifa është komunikuar qartë para lidhjes së kontratës, është proporcionale dhe nuk e tejkalon humbjen e drejtpërdrejtë ekonomike të furnizuesit”, përcakton neni 5.

Projekt-rregullorja trajton edhe rastet kur klientët kanë detyrime të papaguara. Ndryshimi i furnizuesit lejohet nëse ekziston një marrëveshje për shlyerjen me këste ose nëse furnizuesi i ri merr përsipër detyrimet e klientit, sipas një marrëveshjeje me furnizuesin aktual.

“Ekzistenca e detyrimeve ndaj furnizuesit aktual nuk përbën, në vetvete, pengesë për ndryshimin e furnizuesit”, thuhet në nenin 7. Mundësia e ndryshimit të furnizuesit me marrëveshje për detyrimet parashikohet edhe në rregulloren ekzistuese.

Klienti do të ketë të drejtë të marrë informacionin për konsumin dhe faturën përfundimtare brenda 20 ditëve nga ndryshimi i furnizuesit. ERE do të monitorojë procedurat përmes platformave elektronike dhe mund të nisë procedime administrative për shkeljet, edhe pa ankesë nga konsumatori. Projekt-rregullorja është ende në fazën e konsultimit publik dhe nuk ka hyrë në fuqi./N.Maho

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Ekskluzive, VIP-at e Ballkanit Perëndimor; renditja e kompanive më të mëdha në rajon

Për herë të parë, “Monitor” boton renditjen rajonale të 50-100 kompanive më të mëdha të Ballkanit Perëndimor, sipas të ardhurave. Serbia dominon me...

1 day më parë 19 Min Lexim

Ekonomia shqiptare pa prodhim, e varur nga ndërtimi; Kontrasti me Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë

Ekonomia shqiptare u rrit me 3.66% në vitin 2025, por zgjerimi u mbështet kryesisht nga ndihma e madhe nga shteti përmes pagave, ndërtimi, pasuritë...

1 day më parë 20 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!