Kur duhen fiks 6 muaj nga data e zgjedhjeve për pushtetin vendor, ka një çështje urgjente që duhet zgjidhur. Ajo lidhet me një formulë të re për mënyrën se si do duhen zgjedhur këshilltarët bashkiakë.
Një javë më parë, kryetari i Komisionit qendror të zgjedhjeve Ilirjan Celibashi, kishte dhënë alarmin për nevojën e miratimit të shpejtë të ndryshimeve në Kodin zgjedhor në përputhje me organizimin e ri territorial.
Socialistët e kishin vënë këtë çështje si pikë të parë të rendit të ditës, në mbledhjen e sotme të komisionit të reformës zgjedhore, i rikthyer në detyrë pas një ndërprerjeje 4 mujore.
“Kjo është një formulë që duhet të adresohet në komisionin e reformës zgjedhore dhe në ligjin zgjeedgor me qëllim që ta kemi brenda dhjetorit atë ndryshim, pasi ndryshe do të bëhet e vështirë për KQZ të organizojë zgjedhjet vendore. Si do mishërohet ky princip i ri ligjor kur adminsitrata zgjedhore e ka të pamundur për ta zbatuar atë?” tha Damian Gjiknuri
Me ndarjen e re territoriale, qytetet morën një status të ri, brenda një bashkie, i cili do duhet të reflektohet dhe në mënyrën e zgjedhjes së këshilltarëve bashkiakë. Qytetet duhet të kenë në këto këshilla një përfaqësim proporcional.
Ndarja e re, u miratua vetëm me votat e shumicës. Demokratët të cilët nuk e njohin, deklaruan dhe sot në komision se për ta, kjo çështje nuk ekziston
“Ndarja territoriale është kundërshtuar nga opozita si antikushtetuese. Nuk mund të kalojë poshtë derës dhe t’i futet këtij komisioni përsa kohë nuk është në asnjë moment rekomandim i OSBE-ODIHR. Kodi zgjedhor sot garanton zgjedhjen e këshillave bashkiakë për të gjithë këshillat bashkiakë që do të jenë nëë fuqi ditën e zgjedhjeve" tha Oerd Bylykbashi
Debatet kaluan në elementë të tjerë të reformës, me palët që sfidonin njëra tjetrën me propozime që shkonin përtej ndërhyrjeve të thjeshta ne kod
"Na jepni 101 deputetë, ju japim sistemin proporcional kombëtar nëse jeni të gatshëm të bëjnë një komision të reformës kushtetuese" tha Gjiknuri
"Duhet tu përgjigjemi njerëzve, për listat 100 për qind të hapura!" tha Bylykbashi
Mbledhja u mbyll pa arritur asgjë, me demokratët që u larguan.
Por socialistët nga ana e tyre nuk tolerojnë më bojkot. Ultimatumin e fundit demokratëve ua dha Taulant Balla.
“Nëse PD nuk do të vijë në komision deri më 30 nëntor, mos të habitet kur të çojmë propozimet tona në Kuvend”, tha Taulant Balla
Më herët, socialistët mblodhën të vetëm edhe komisionin për fazën e dytë të reformës territoriale, që ka si synim aktet ligjore dhe nënligjore për funksionimin e 46 bashkive të reja!
Taulant Balla ia bëri të qartë deputetëve të opozitës se nëse bojkoton komisionin për reformën zgjedhore, PS do të dorëzojë në Kuvend propozimet e saj. Pretendimeve të PD se po anashkalohen rekomandimet e OSBE-ODIHR i quajti “teatër” që zgjat “prej një dekade”.
Një premtim të qartë, kreu i grupit të PS e bëri edhe për zgjedhjet e ardhshme të 9 majit.
“Teatër prej një dekade që lidhet me rekomandimet e OSBE-ODIHR. Nëse deri më 30 nëntor PD nuk vjen në komision për të punuar së bashku, hedh shashka dhe ne i diskutojmë. E bojkotuan ata komisionin. Nuk ke pse abuzon me një të drejtë që të kemi dhënë ne. PD t’i sjellë të gjitha propozimet në komision por bojkoti i komisionit me një të drejtë që ta kemi dhënë ne... dua t’i them PD që ne do t’i japim Shqipërisë mundësinë që të zhvillojë zgjedhjet e 9 majit që edhe bashkitë që u bashkuan të kenë anëtarët e vet në këshillat bashkiakë. PD duhet të kuptojë që edhe ne kemi pasur disa propozime, si rikthimi i numërimit në qendrat e votimit. Nëse PD nuk do të vijë në komision deri më 30 nëntor, mos të habitet kur të çojmë propozimet tona në Kuvend”, tha Balla.
Partia Demokratike ka kërkuar ndryshimin e rendit të ditës në komisionin për ‘Zgjedhoren’ për të hequr pikën e “detyrimeve që rrjedhin nga legjislacioni për vetëqeverisjen vendore.”
Bsahkëkryetari Oerd Bylykbashi thotë se kjo pikë është futur në mënyrë të njëanshme dhe s’bën pjesë në rekomandimet e OSBE-ODIHR. Çështja që PD do të diskutojë janë ndarja e partisë nga shteti dhe ndalimin e abuzimit me pushtetin në zgjedhje.
Kërkesa e plotë:
"I nderuar bashkëkryetar,
të nderuar anëtarë të Komisionit të Posaçëm,
Komisioni, në punën e tij, bazohet tek rregulli themelor i konsensusit mes të dy palëve pozitë-oppzitë për çdo aspekt formal dhe përmbajtësor të punës së tij. Për këtë arsye është i ndërtuar mbi barazinë pozitë-opozitë të përbërjes së tij, drejtimin me bashkëkryesim dhe veton e secilës palë.
Pika e parë e rendit të ditës për mbledhjen e sotme në lidhje me detyrime që sipas njoftimit, i vikan Komisionit nga legjislacioni për vetëqeverisjen vendore, nuk është rekomandim i OSBE/ODIHR, nuk është dakordësuar mes bashkëkryetarëve, është futur në mënyrë të njëanshme në rendin e ditës dhe është kundërshtuar menjëherë në grupin e komunikimit të Komisionit nga anëtarët e opozitës, pas njoftimit të rendit të ditës.
Deri më sot, çështja e debatueshme nuk është hequr nga diskutimi. Në cilësinë e bashkëkryetarit dhe bazuar në kompetencën që më jep ky funksion, kërkoj heqjen e pikës 1 sipas njoftimit të datës 5 nëntor 2026 nga rendi i ditës për diskutim në mbledhjen e datës së sotme, 9 nëntor 2026.
Kërkoj zëvendësimin e saj me çështjen prioritare të rekomandimeve të ODIHR për “garantimin e fushës së barabartë të garës duke ndarë shtetin nga partia dhe ndalimin e abuzimit me pushtetin shtetëror në zgjedhje”. Kjo çështje është hapur për diskutim në Komision në muajt qershor-korrik dhe për të është organizuar nga Komisioni edhe një tryezë e madhe konsultimi me partnerë dhe ekspertë ndërkombëtarë dhe shoqërinë civile. Kjo çështje është prioritare për t’u përfunduar nga Komisioni para zgjedhjeve të 9 majit 2027.
Mandati i Komisionit mbaron më 30 nëntor dhe çdo devijim nga prioritetet e punës sonë pengon arritjen e objektivave të tij.
Për sa më sipër kërkoj që deri në ora 11.00 të ditës së sotme, t’i komunikohet formalisht komisionit nga sekretaria rendi i ditës i ndryshuar.









Komente
Komento