Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se një prej pengesave kryesore për përfundimin e luftës në Ukrainë është armiqësia personale mes presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe atij rus Vladimir Putin. Megjithatë, ai shprehet optimist se një marrëveshje paqeje është pranë dhe se përfundimi i konfliktit do të vijë falë ndërhyrjes së tij.
Në një intervistë për televizionin amerikan CBS News, Trump përsëriti pretendimin se lufta nuk do të kishte nisur nëse ai do të kishte qenë president në atë kohë. Sipas tij, konflikti do të marrë fund së shpejti falë përpjekjeve të administratës së tij.
I pyetur se cilit prej dy liderëve i beson më shumë, Trump shmangu dhënien e një përgjigjeje të drejtpërdrejtë, duke deklaruar se ka marrëdhënie të mira me të dy.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë pranoi gjithashtu se pakënaqësia e Zelenskyt ndaj Putinit është e kuptueshme, pasi ishte Rusia ajo që pushtoi Ukrainën. Megjithatë, ai pretendoi se gjatë takimit të parë mes dy liderëve, Putini ishte përballur me mungesë respekti.
Trump: Jemi shumë pranë marrëveshjes
Duke folur për negociatat e paqes mes Rusisë dhe Ukrainës, presidenti amerikan u shpreh se pret një përfundim të afërt të konfliktit, por paralajmëroi se Ukraina mund të ketë një konfigurim territorial ndryshe nga ai aktual.
“Besoj se do të arrijmë ta përfundojmë. Besoj se kjo do të ndodhë, por Ukraina do të përfundojë me një konfigurim disi të ndryshëm”, deklaroi Trump.
Ai iu referua gjithashtu negociatave trepalëshe mes Shteteve të Bashkuara, Ukrainës dhe Rusisë, të parashikuara të zhvillohen në Abu Dhabi më 10 dhe 11 nëntor, duke shprehur bindjen se palët janë shumë pranë arritjes së një marrëveshjeje.
“Besoj se kjo luftë do të përfundojë dhe do të përfundojë së shpejti. Dhe arsyeja e vetme pse do të përfundojë është merita ime”, përfundoi presidenti amerikan.
© SYRI.net