Pas disa muajsh ndërprerjeje, Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore mblidhet sot duke rikthyer në diskutim përplasjet mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për ndryshimet në sistemin zgjedhor.
Pavarësisht rinisjes së punës, palët duket se nuk kanë arritur ende një dakordësi për çështjet kryesore të reformës.
Në mbledhjen e sotme pritet të diskutohen detyrimet që burojnë nga legjislacioni për vetëqeverisjen vendore, si dhe çështjet e mbetura nga shqyrtimi i projektligjit për financimin e partive politike.
Bashkëkryetari i komisionit nga radhët e opozitës, Oerd Bylykbashi, ka kërkuar që procesi të fokusohet te rekomandimet e OSBE/ODIHR. Sipas tij, një nga synimet kryesore të reformës duhet të jetë garantimi i ndarjes së shtetit nga partia në pushtet.
Ndërkohë, dallimet mes dy forcave politike mbeten të dukshme edhe për sistemin e ardhshëm zgjedhor. Partia Demokratike këmbëngul për lista 100% të hapura, përfshirë edhe zgjedhjen e këshillave bashkiakë.













