E hëna me mot të paqëndrueshëm, reshje shiu dhe shtrëngata në disa zona
Gjatë ditës së Hënë, vendi do të karakterizohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Moti parashikohet të jetë me vranësira mesatare deri të dendura, të shoqëruara me intervale të herëpashershme kthjellimesh dhe shfaqje të diellit.
Reshjet e shiut, me intensitet kryesisht të ulët, do të jenë të pranishme që në orët e para të 24-orëshit në pjesën më të madhe të territorit.
Gjatë ditës ato do të vijojnë të jenë të herëpashershme, ndërsa në qendër dhe jug nuk përjashtohen shtrëngata afatshkurtra.
Pas mesditës, reshjet do të mbeten prezente kryesisht përgjatë zonave malore në juglindje dhe lokalisht në veri të vendit.
Era do të fryjë nga kuadrati i juglindjes dhe jugperëndimit, me shpejtësi mesatare rreth 5 m/s. Përgjatë vijës bregdetare dhe në lugina, shpejtësia e saj pritet të arrijë deri në 15 m/s.
Në det, valëzimi parashikohet të jetë i forcës 2–3 ballë.




