Tragjedi në Kretë, 20 emigrantë të vdekur dhe 2 të zhdukur, shpëtohen 133 persona
Një tragjedi e rëndë është regjistruar në ujërat në jug të ishullit të Kretës, ku të paktën 20 emigrantë kanë humbur jetën, ndërsa dy persona rezultojnë ende të zhdukur. Operacionet e kërkim-shpëtimit nga Roja Bregdetare greke dhe agjencia evropiane Frontex vijojnë, ndërsa deri më tani janë shpëtuar gjithsej 133 persona nga katër gomone.
Në orët e para të mëngjesit të sotëm, 9 nëntor, në një gomone u gjetën trupat e pajetë të 12 emigrantëve, ndërsa 18 persona të tjerë u shpëtuan.
Gomonja ishte pikasur nga një anije mallrash me flamur maroken. Pas njoftimit, në zonë mbërriti një mjet patrullues i Rojës Bregdetare greke, i cili mori në bord të mbijetuarit dhe trupat e viktimave.
Anija e Rojës Bregdetare u drejtua më pas për në portin e Agia Galinit. Sipas autoriteteve, në zonë mbizotëronin kushte të mira atmosferike.
Një tjetër incident tragjik u regjistrua pasditen e së shtunës, më 7 nëntor, ku një gomone me emigrantë ndodhej në vështirësi për shkak të kushteve të këqija atmosferike.
Nga gomonia u shpëtuan 28 shtetas sudanezë, ndërsa fillimisht u gjet një viktimë. Për shkak të erërave të forta, me intensitet 6-7 ballë, operacioni për nxjerrjen e trupave të tjerë u shty.
Kërkimet vijuan gjatë natës dhe në orët e para të së hënës, kur autoritetet gjetën edhe shtatë trupa të tjerë të pajetë brenda gomones.
Si pasojë, numri i viktimave nga ky incident shkoi në tetë, ndërsa dy persona rezultojnë ende të zhdukur. Dy nga 28 të mbijetuarit u dërguan në spitalin e Heraklionit për trajtim mjekësor.
Ndërkohë, nga dëshmitë e personave të shpëtuar në incidentin e së shtunës, mësohet se gomonia ishte nisur nga Libia në mëngjesin e datës 3 ose 4 nëntor, me destinacion Greqinë.
Për këtë udhëtim, secili prej emigrantëve kishte paguar mbi 2000 euro.
Sipas dëshmive, pasditen e 6 nëntorit, dy persona kishin rënë në det në rrethana ende të paqarta dhe që prej asaj kohe rezultojnë të zhdukur.
Në kuadër të hetimeve të zhvilluara nga Autoriteti Qendror Portual i Heraklionit, janë arrestuar dy shtetas sudanezë, përkatësisht 28 dhe 16 vjeç. Ata janë identifikuar nga të mbijetuarit si personat që organizuan dhe drejtuan transportin e emigrantëve.
Ndaj tyre janë ngritur akuza për hyrje të paligjshme në vend, lehtësim të hyrjes së paligjshme, krijim të grupit kriminal dhe ekspozim që ka sjellë vdekjen e personave.
Autoritetet greke vijojnë hetimet dhe operacionet e kërkim-shpëtimit për të zbardhur plotësisht rrethanat e tragjedive dhe për të lokalizuar dy personat që rezultojnë ende të zhdukur.




