Situata me cilësinë e ujit në qytetin e Vlorës po bëhet gjithnjë e më shqetësuese. Pas denoncimit të publikuar një ditë më parë nga News24 për problematikat e konstatuara në analizat e ujit në dy zona të qytetit, ku ishte evidentuar mungesë e klorit dhe prani e amoniakut, rezultatet e analizave të tjera kanë zbuluar edhe praninë e ndotjes fekale.

Pas publikimit të këtyre të dhënave, institucionet përgjegjëse kanë reaguar dhe kanë dalë në terren për të verifikuar situatën. Megjithatë, shqetësimi mbetet i madh, pasi ende nuk është bërë e qartë se cilat janë burimet e ndotjes dhe sa i përhapur është problemi.

Një tjetër problematikë që kërkon vëmendje janë depozitat e ujit të vendosura mbi pallatet e qytetit. Pamjet nga pastrimi i një prej tyre tregojnë kushte shqetësuese higjieno-sanitare, duke ngritur pikëpyetje mbi cilësinë e ujit që mbërrin në banesat e qytetarëve.

Edhe në rastet kur banorët nuk e përdorin ujin drejtpërdrejt për të pirë, ai shërben për larjen e enëve, përgatitjen e ushqimit, dushin dhe higjienën personale. Për këtë arsye, çdo problem me cilësinë e tij përbën shqetësim për shëndetin e familjeve që furnizohen nga këto depozita.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb