“Kemi bërë shumë dëm”, Alex Baena shpjegon pse Atletico humbi nga Barcelona

Alex Baena ka dalë në mbrojtje të Julian Alvarezit pas humbjes 2-1 të Atletico Madridit ndaj Barcelonës në “Metropolitano”, duke vlerësuar paraqitjen e sulmuesit argjentinas, pavarësisht rasteve të humbura.
Alvarez pati një mundësi të mirë për ta kaluar Atletico Madridin në epërsi, ndërsa më pas asistoi për golin e parë të shënuar nga Giuliano Simeone. Megjithatë, Barcelona arriti të përmbyste rezultatin me dy golat e Fermin Lopezit, duke marrë tri pikët.
Pas ndeshjes, Baena vlerësoi paraqitjen e bashkëlojtarit të tij dhe u shpreh i bindur se ai do të jetë më konkret në ndeshjet e ardhshme.
“Julian luajti një ndeshje të shkëlqyer. Shpresoj që në çdo ndeshje t'i ketë rastet që pati këtë të diel. Disa ditë je më konkret para portës, e disa ditë jo. Një ditë tjetër do t'i shfrytëzojë ato raste”.
Mesfushori i Atletico Madridit theksoi se skuadra e tij arriti t'i shkaktonte probleme Barcelonës, por dështoi t'i konkretizonte mundësitë e krijuara.

“I kemi shkaktuar shumë probleme Barcelonës, por nuk kemi qenë konkretë para portës. Sezoni është i gjatë, ka ende shumë për t'u luajtur dhe kjo është rruga që duhet të ndjekim”.
Baena beson se diferenca në këtë përballje nuk qëndroi te mungesa e rasteve për Atletico Madridin, por te efikasiteti i Barcelonës në shfrytëzimin e tyre.
“Dallimi ishte se ata i shënuan rastet që patën, ndërsa ne jo. Kur nuk shënon, ndodhin gjëra të tilla si sot”.
“Duke parë pjesën e parë të ndeshjes së sotme, jemi në të njëjtin nivel me ta. Por, në momentin që zbret nën 100 për qind, ata të shkatërrojnë. Nuk mund të zbresësh nën 120 për qind”, përfundoi Baena./Telegrafi/











































