Shtohen rastet e personave që kërkojnë ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Vlorës, pasi kanë shfaqur simptoma të të vjellave dhe diarresë.
Rastet janë konstatuar në lagjet “28 Nëntori” dhe “29 Nëntori”, ku disa banorë janë paraqitur në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Pas marrjes së serumit dhe trajtimit përkatës, pacientët janë larguar drejt banesave të tyre, pa pasur nevojë për shtrim në spital.
Sipas burimeve, dyshohet se kjo problematikë mund të ketë lidhje me furnizimin me ujë të pijshëm, pas një ndërhyrjeje për riparimin e rrjetit të ujësjellësit dhe rikthimit të furnizimit me ujë në këto zona.
Ndërkohë, nga analizat e kryera në mostrat e ujit, në dy prej tyre raportohet se është konstatuar mungesë e klorit, ndërsa në disa mostra të tjera parametrat kanë rezultuar brenda normave.
Mbetet për t’u përcaktuar nëse ka një lidhje mes cilësisë së ujit dhe rasteve të personave që kanë shfaqur probleme shëndetësore. Deri më tani, shkaku nuk është konfirmuar zyrtarisht.