Lulishtja “Valmi”, një nga hapësirat e njohura në zemër të Elbasanit, do të marrë një pamje të re përmes projektit të rivitalizimit, një ndërhyrje që synon jo vetëm përmirësimin urban të zonës, por edhe rikthimin e saj në funksion të qytetarëve.
E vendosur në një zonë me rëndësi historike për qytetin, lulishtja mban emrin Valmi, një emërtim që lidhet me kujtesën e hershme historike të Elbasanit. Në burimet historike përmendet edhe emërtimi “Qyteti i Valmëve”, përpara rindërtimit të qytetit dhe kalasë në vitin 1466, kur qyteti mori emrin Elbasan. Kjo e bën emërtimin e kësaj hapësire një element të veçantë të trashëgimisë dhe identitetit vendor.
Projekti parashikon largimin e strukturave të vjetra prej betoni dhe krijimin e ishujve të gjelbëruar, duke e shndërruar lulishten në një mjedis më estetik, të hapur dhe mikpritës për të gjitha grupmoshat.
Ndërhyrja, me autoritet kontraktor Këshillin e Qarkut Elbasan, synon t’i japë një tjetër dimension kësaj hapësire, duke ndërthurur përmirësimin e mjedisit urban me respektimin e historisë dhe identitetit të qytetit.
